Pas akuzave të Komunës së Prishtinës se Policia e Kosovës ka arrestuar në mënyrë arbitrare Salih Zybëm, zyrtar i komunës, ka reaguar policia e cila ka thënë se policia ka qenë e detyruar të bajt arrestimin e tij nga një urdhëresë nga Gjykata Themelorë në Prishtinë./
“Urdhëresa e nxjerrë në muajin shkurt të këtij viti, ka specifikuar detyrimin për policinë që të pandehurin posa ta takoj, ta ndaloj ta arrestoj dhe ta transferoj në qendrën e paraburgimit”, thuhet në një komunikatë të policisë.
Sipas policisë, Zyba ka pasur ftesë edhe më herët që të paraqitet në polici, por ai nuk e ka bërë një gjë të tillë.
“Për më shumë të pandehurit më datë 22.02.2016 policia i ka dërguar ftesën zyrtare për paraqitje në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë, gjithashtu më datë 23.02.2016 të njëjtin polica e ka kërkuar në shtëpinë e tij, si dhe tri herë të tjera në vendin e punës së tij, porse asnjëherë i pandehuri nuk është hasur nga ana e policisë si dhe vullnetarisht nuk është paraqitur.”
“Aktualisht policia sipas rregullit po kryen të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për të përmbushur plotësisht urdhëresën e gjykatës,” thuhet në komunikatë.
Salih Zyba u arrestuar sot në orët e paradites nga Policia e Kosovës. Ai është njëri nga 24 aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët në vitin 2009 u akuzuan për dëmtim të veturave të EULEX-it gjashtë vjet më parë, në parkingun prapa Pallatit të Rinisë.
Komuna e Prishtinës ka thënë se për arrestimin e tij nuk ka pasur fletarrest dhe se ai është arrestuar në mënyrë arbitrare.
“Policia e Kosovës në mënyrë arbitrare dhe pa asnjë autorizim ndërhyn në hapësirat e Komunës së Prishtinës. Policia e Kosovës, sot pa asnjë autorizim u fut në kabinetin e Kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe pa fletëarrest me vete e arrestoi Salih Zybën, shef të sektorit të Inspeksionit të Komunës së Prishtinës”, thuhet në reagimin e komunës./Insajderi