Zv/drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se shpërthimi i mbrëmshëm pranë Qendrës së Paraburgimit në veri të Mitrovicës ka ndodhur rreth orës 00:45 minuta.
Ai ka thënë se deri më tash është konfirmuar se shpërthimi është bërë me granatë dore e tipit M75, pranë një shtëpie të vjetër, e cila është e pabanueshme dhe që është shumë afër Qendrës së Paraburgimit dhe, rrjedhimisht nuk ka pasur të lënduar përveç dëmeve materiale.
Sipas tij, dyshimet e policisë janë se cak i sulmit ka qenë Qendra e Paraburgimit, pasi që shtëpia e vjetër është e pabanueshme.
Marrë parasysh që kohëve të fundit janë bërë disa transferime të të burgosurve serbë nga kjo qendër për në burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës, përfshirë edhe Slobodan Gavriq, i dënuar më 13 vjet burgim, policia nuk e përjashton mundësisë që sulmi të ketë lidhje me këto veprime.
Hoti ka thënë se policia është duke e hetuar rastin, dhe nuk ka dhënë detaje tjera.
Slobodan Gavriq është i dënuar me 13 vjet burgim për terrorizëm. Po ashtu, ai akuzohej edhe për import, eksport, transportim e prodhim të armëve apo materialeve të tjera plasëse.
Bashkë me Gavriqin, ishin transferuar edhe tre serbë të tjerë të akuzuar për krime lufte.
Transferimi ishte bërë në marrëveshje me EULEX-in.
Disa ditë më vonë, të paraburgosurit serbë në Qendrën e Paraburgimit të Mitrovicës së Veriut, përfshirë udhëheqësin e iniciativës qytetare SDP, Oliver Ivanoviq, kishin nisur një grevë urie për shkak të vendimit për transferimin e katër serbëve në burgun në qytetin e Podujevës, nën frikën se edhe ata një ditë do të transferohen atje./Insajderi.com