Shembet pas tri vitesh rruga që u quajt investimi më i madh në qytet

Shembet pas tri vitesh rruga që u quajt investimi më i madh në qytet

Investimi më i madh në qytetin e Beratit, që përfundoi 3-vjet më parë, ka pësuar një dëmtim të madh në segmentin Polici-Stadiumi Tomorri.

Rruga është çarë dhe është shembur në njërin krah, gjatë qarkullimit të automjeteve në rrugë.

Një automjet që ishte në ecje përgjatë këtij aksi, ka rënë në gropën e shembur në rrugë.

Automjeti ka pësuar dëme materiale dhe fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz, ndërkohë që dëmtimi i rrugës në këtë segment ka vështirësuar mjaft qarkullimin e mjeteve në rrethrrotullimin e stadiumit.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar specialistë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Bashkinë e Beratit, të cilët kanë rrethuar vendin dhe kanë pezulluar qarkullimin e mjeteve pranë rrugës së shembur.

Burime zyrtare pranë kësaj drejtorie deklarojnë se do të punohet për riparimin e rrugës së shembur,që mendohet të përfundojë në mesditë.

Specialistët e kësaj drejtorie bëjnë me dije se rruga ka shkarë dhe më pas është shembur për shkak të shembjes së njërit krah të murit mbajtës nëntokësor të kanalizimeve të ujërave të zeza. /tch