Kadri Veseli flet për zgjedhje: PDK e gatshëm për të marrë përgjegjësi

Kadri Veseli flet për zgjedhje: PDK e gatshëm për të marrë përgjegjësi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka filluar takimet me kryesitë e degëve të partisë që ai udhëheq, pas situatës së krijuar pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit.

Ai tha se zgjedhjet nacionale kanë rëndësi e kërkojnë mobilizim të gjithanshëm dhe se kjo parti është e gatshme për zgjedhje.

“Ne jemi gati për zgjedhje, ashtu siç është vizioni ynë, i prezantuar në procesin e brendshëm zgjedhor, Dekada e Re, për t’u përgjigjur ndaj sfidave të zhvillimit, procesit integrues dhe të ardhmes së të rinjve tanë këtu”, theksoi Veseli.

Veseli potencoi po ashtu se PDK si çdoherë është e gatshme të shtyjë tutje suksesshëm agjendat zhvillimore të vendit dhe agjendat integruese, por nuk tregoi a do të jetë përsëri kandidat për kryeministër.

“Ne kemi ofruar zgjidhje për çështjet më madhore dhe më sfiduese për vendin tonë, me oferta dhe vendimet më të mira, duke kontribuar në të gjitha proceset që vendin tonë e bëjnë shtet me institucione demokratike dhe perspektivë euro-atlantike. Por, ne jemi gati që të marrim përgjegjësi për ta rritur ekonominë, si dhe vendin ta integrojmë në familjen e madhe evropiane”, theksoi ai, pa treguar se a synon ai që të marrë postin e kryeministrit.