
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka ftuar publikisht Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për të formuar bashkë një koalicion parazgjedhor, i cili sipas Kurtit, do t’i fitonte bindshëm zgjedhjet.
Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti ka thënë se LDK dhe Vetëvendosje mund t’i fitojnë zgjedhjet para se ato të mbahen.
“Po, mund të fitojmë pas zgjedhjeve atëherë kur në natën e raportimeve të komisionerëve nga vendvotimet, ankthi na bëhet festë. Ama mund të fitojmë edhe para zgjedhjeve këtë herë. Koalicioni paraprak i opozitës së vërtetë të deridjeshme të bëhet qeveri e mirë e së nesërmes. Asisoj do t’i kemi së paku 70 deputetë. Një partner i vogël pas zgjedhjeve do të ishte më shumë se i mjaftueshëm për shumicën absolute të 2/3 dhe gjithsesi i panevojshëm për shumicën e thjeshtë qeveritare”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se Lidhja Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje mund të fitojnë pa betejë nëse bashkohen para zgjedhjeve.
“Pra, mund të fitojmë edhe pa betejë. Mbase më mirë ashtu, sepse betejat e vërteta e të mëdha do t’i kemi pikërisht pas fitores”, ka thënë lideri i VV-së.
Sipas Kurtit, me një qeveri të përbërë nga LDK-ja dhe VV-ja “menjëherë duhet të ndryshojnë lajmet e mbrëmjes”.
“Jo më skandale qeveritare por luftim i krimit dhe korrupsionit. Jo më emigrim porsi ekzod por punësim pa diskriminim. E kështu me radhë…”, ka përfunduar shkrimin e tij lideri i Vetëvendosjes. /Insajderi.com