Prokuroria sqaron çka ndodhi të premten në “Che Bar” – nuk u sulmua pronari i lokalit

Prokuroria sqaron çka ndodhi të premten në “Che Bar” – nuk u sulmua pronari i lokalit
Burimi i fotografisë: Facebook/ Labinot Ademi

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka thënë se asnjë person nuk dyshohet të jetë sulmuar në lokalin “Che Bar” në rrugën Fehmi Agani në Prishtinë të premten në mbrëmje.

Përkundër raportimeve të medieve për sulm ndaj pronarit të “Che Bar”, Labinot Ademi, Prokuroria ka njoftuar se rasti është inicuar si “vetëgjyqësi” dhe se bëhet fjalë për një prishje të rendit në lokal.

“Ky rast ka ndodhur të premten mirëpo nuk ka të bëjë me rrahje. Policia e ka lajmëruar prokurorin kujdestar kur janë ndaluar dy persona për 48 orë, nuk e di pse është raportuar për rrahje mirëpo nuk ka pasur ndonjë lidhje me këtë”, ka thënë për Insajderin, Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë. “Rasti ka ndodhur për prishje të rendit”.

Ulaj ka njoftuar se dy persona të përfshirë në këtë rast janë ndaluar për 48 orë nga Policia e Kosovës.

“Nuk ka as viktima as të lënduar. Dy personat që kanë qenë të përfshirë në këtë rast janë të ndaluar aktualisht”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës.

Labinot Ademi i njohur në kryeqytet si “Labi i Che Bar-it”, i kontaktuar nga Insajderi, nuk ka dashur të prononcohet lidhur me rastin.

Edhe Policia e Kosovës në një përgjigje për Insajderin ka konfirmuar se rasti që ndodhi të premten ka të bëjë me vetëgjyqësi.

“Incidenti në rrugën ‘Fehmi Agani’ në Prishtinë, saktësisht në një lokal ku janë arrestuar dhe me pas dërguar në mbajtje dy persona të dyshuar të përfshirë në këtë rast: A.M. mashkull, 47 vjeç, shtetas i Republikës se Kosovës dhe B.P. mashkull, 40 vjeç, shtetas i Republikës se Kosovës”, ka thënë të martën për Insajderin,. Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës në Rajonin e Prishtinës. /Insajderi.com