Të burgosurit e Sigurisë së Lartë prodhojnë shtretër nga druri, disa prej tyre jepen për donacion

Të burgosurit e Sigurisë së Lartë prodhojnë shtretër nga druri, disa prej tyre jepen për donacion

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se në vazhdën e aktiviteteve të punës së organizuar nëpër burgje, të mbështetur nga organizata joqeveritare “ Help Kosovo”, të burgosurit e Burgut të Sigurisë së Lartë (BSL), kanë filluar prodhimin e shtretërve nga druri.

Përmes një njoftimi nga Shërbimi Korrektues thuhet se të burgosurit e BSL-së, përveç se kanë aktivitete të shumta sportive, ata zhvillojnë edhe aktivitete tjera, me të cilat shprehin talentin në punën dhe zanatet e tyre që ata zotërojnë.

“Përmes këtij projekti synohet të ndikohet në rehabilitimin dhe ri-socializimin e personave të burgosur. Qëllimi i projektit është ngritja e kapaciteteve të grupeve të cenueshme në sferën ekonomike dhe shoqërore, në mënyrë që të ju krijohen mundësitë për pjesëmarrje aktive në shoqëri”, thuhet në njoftim.

Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës thuhet se “kjo përmirëson mundësitë e të burgosurit për të jetuar edhe pas lirimit. Përveç kësaj, puna normalizon jetën e përditshme në burg. Secili punim i kryer nga të burgosurit në punëtoritë e SHKK-së, kryesisht përdoren për nevojat e qendrave korrektuese dhe atyre të paraburgimit. Disa prej tyre jepen edhe donacion”. /Insajderi.com