Haradinaj-Merkelit: BE-ja do të jetë më e fortë me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor

Haradinaj-Merkelit: BE-ja do të jetë më e fortë me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj e ka përgëzuar Kancelaren Angela Merkel për rikonfirmimin e mbështetjes për Ballanin Perëndimor për integrim në Bashkimin Evropian.

Haradinaj përmes Twitterit, e  ka postuar një fotografi me Kancelaren Merkel gjatë një takimi që ka pasur me të në Berlin.

Haradinaj ka shkruar se Bashkimi Evropian do të jetë më i fortë me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“E përshëndes qëndrimin e kancelares Merkel për konfirmimin e përkrahjes së perspektivës së Ballkanit Perëndimor për zgjerimin e BE-së sot nga qyteti hungarez i Sopron-it.

Bashkimi Evropian do të jetë më i fuqishëm dhe me më shumë mirëqenie me afrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Kosova është gati”, ka shkruar në Twitter Haradinaj.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka thënë se Evropa do të jetë e bashkuar vetëm kur të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.

Evropa do të jetë e bashkuar vetëm kur të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, ka porositur kancelarja gjermane Angela Merkel.

Ajo i bëri këto deklarata në Hungari në shënimin e 30 vjetorit të ashtuquajturit “Piknik panevropian”.

Merkel ka thënë se Evropa nuk do të jetë e bashkuar derisa komplet Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

“Nëse analizoni gjërat gjeografikisht e po ashtu shikoni edhe hartën, do të shihni se Evropa do të jetë e bashkuar vetëm me shtetet e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Merkel para gazetarëve, raporton “Politiko”.

Deklaratat nga Merkel paraqesin një tjetër pasqyrë të qëndrimit të Berlinit për zgjerimin e Bashkimit Evropian, që është ide e pambështetur nga disa prej shteteve të tjera anëtare të BE-së.