Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka pritur sot në takim Ministrin e Ekonomisë të Maqedonisë Veriore, Kreshnik Bekteshin, që kanë diskutuar për zgjidhjen e barrierave tregtare në mes të dyja vendeve.
Ministri Shala theksoi se janë dakorduar që të gjejnë një zgjidhje për largimin e barrierave.
“Diskutuam mbi disa probleme që kohët e fundit disa biznese tona i kanë hasur gjatë të bërit tregti në Maqedoninë e Veriut. Ne si qeveri e Kosovës, Ministri e Tregtisë dhe Industrisë dhe Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë, jemi dakorduar sot që t’i dërgojmë garancione shtesë Maqedonisë së Veriut, e këto garancione Kosova nuk e ka obligim t’i ketë me vendet e tjera nënshkruese të CEFTA-s. Agjencioni ynë i Veterinës deri të premten do të sigurojë atë të Maqedonisë së Veriut për programin e monitorimit aktiv me qëllim që AUVK në Maqedoni ta ketë më të lehtë që pastaj atë produkt ta tregtojë në BE. AUVK në Maqedoni gjatë kësaj jave pritet ta heqë barrierën ndaj Kosovën, por në momentit kur dy palët i përfundojnë këto atëherë do ta eliminojnë masën e vendosur nga ne si MTI”, tha Shala.
Ai ka bërë të ditur se ka kërkuar nga pala e Maqedonisë së Veriut të kenë marrëdhënie tregtare pa barriera.
“Jemi të interesuar për ta tejkaluar situatën dhe urojmë që mos të përsëritet. Kemi vullnet të kemi marrëdhënie tregtare pa barriera, me të gjithë, sepse jemi partner në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, por duke respektuar njeri- tjetrin. Ka ardhur koha që të tjerët të na besojnë në punën dhe kontrollin tonë, aq sa edhe ne ju besojmë atyre”, theksoi Shala.
Ndërsa Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, tha se janë të interesuar ta gjejnë një zgjidhje dhe të vazhdojnë raportet tregtare me Republikën e Kosovës.
“Bashkëpunimi në mes të dy palëve është në interes të thellimit dhe bashkëpunimit të mëtejmë. Ne e mbështesim Kosovën në të gjitha instancat ndërkombëtare”, tha Bekteshi.