Yagcilar: Sulmi ndaj Konsullatës mund t’i acarojë raportet me Turqinë

Yagcilar: Sulmi ndaj Konsullatës mund t’i acarojë raportet me Turqinë

Ministri i Administratës Publike në Qeverinë e Kosovës, Mahir Yagcilar, pjesëtar i komunitetit turk, e ka dënuar sulmin që sot disa persona e kryen me koktej molotovi në Konsullatën Turke në Prizren. Madje sipas Ministrit turk në Kosovë edhe vet Ambasada turke është e shqetësuar mbi sulmin që sot iu bë konsullatës në Prizren.

 

Në një prononcim për Express, Yagcilar, theksoi se akte të tilla mund të ndikojnë në marrëdhëniet në mes të Kosovës e Turqisë

“Ne sot kemi kontaktuar me zyrtarë të Ambasadës Turke në Kosovë. Ata janë të shqetësuar dhe indinjuar me këtë rast. Ata po besojnë që ky rast është i izoluar. Këto raste nëse nuk ndalohen në të ardhmen mund të krijojnë probleme të tjera”, ka thënë Yagcilar.

Ai theksoi se Kosova është shtet i të gjithëve përfshirë këtu edhe pakicat që i përbëjnë edhe komuniteti turk.

“Kosova është shtet i të gjithëve. Bashkë e ndërtuam këtë shtet dhe dëshirojmë që dhe ma tutje ta zhvillojmë. Ne si shqiptarë e dënojmë këtë akt sepse është sulm ndaj etnitetit. Nga aspekti tjetër ky sulm mund të krijoj ose përkeqësoj marrëdhëniet e Kosovës me Republikën e Turqisë”, ka thënë Yagcilar.

Ndërkohë që kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren sot gjatë ditës ka deklaruar se lidhur me këtë rast pesë persona janë ndaluar nga ana e prokurorisë si të dyshuar për hedhjen e koktej mollotovit në drejtim të Konsullatës turke në qytetin e Prizrenit.

Njësitet e forenzikës kriminalistike të Policisë së Kosovës kanë bërë ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes duke u bazuar në dëshmi dhe video incizime relevante për procedim sa më profesional të rastit, zbulimin e tij dhe identifikimin e kryesve të përfshirë.  Në vendin e ngjarjes si dëshmi janë sekuestruar: Një shishe qelqi e tymosur e pa thyer, ngjyrë kafeje si dhe disa copëza qelqi të thyera në vend të ngjarjes.

E për rastin ka reaguar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi si dhe zyra e Qeverisë së Kosovës. Të dy këto institucione e kanë dënuar sulmin. /Insajderi.com