25 mijë nënshkrime për “Drejtësi për Astritin”

25 mijë nënshkrime për “Drejtësi për Astritin”

Për katër ditë, peticioni “Drejtësi për Astritin”, kishte arritur të mbledhë mbi 18 mijë nënshkrime, ndërsa në ditën e pestë, gjatë 28 nëntorit, numri i nënshkrimeve ka arritur në 25 mijë.

Kështu kanë bërë të ditur organizatorët e këtij peticioni, nëpërmjet rrjeteve sociale.

Organizatorët e peticionit që thërret për “Drejtësi për Astritin”, me këtë peticion duan të bëjnë thirrje për nënshkrimin e peticionit që ishte përgatitur mbi këto pika:

  1. Hetim të pavarur dhe transparent për rastin sa më parë
  2. Dorëheqjen e udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për mosgatishmërinë morale e ligjore për të kërkuar dhe dhënë përgjegjësi.
  3. Fillimin e menjëhershëm të ndjekjes penale të përgjegjësve që dështuan të garantojnë sigurinë e jetës së Astritit në institucionet e shtetit dhe shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës në tërë zinxhirin hierarkik për mos trajtimin dinjitoz të Astritit në qendrën e paraburgimit edhe pas vdekjes së tij.
  4. Kryesia e Kuvendit të Kosovës në bazë të Nenit 38, paragrafit 1 të Rregullores së Punës së Kuvendit, të thërras mbledhje të jashtëzakonshme për rastin e Astrit Deharit.

 

Astrit Dehari vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në ditën e 5 nëntorit. Raporti i autopsisë ka gjetur se ai ka ndërruar jetë nga asfiksia e shkaktuar nga vet 26 vjeçari, por familja Dehari e lëvizja Vetëvendosje pjesë e të cilës ishte ai nuk po e pranojnë këtë version./Insajderi.com