Skënderbeu i pakapshëm për mendjen e ngushtë të Hysamedin Ferajt!

Shkruan: Azdren Shala - student i historisë

Skënderbeu i pakapshëm për mendjen e ngushtë të Hysamedin Ferajt!

Rreth figurës së Skënderbeut gjithmonë janë angazhuar historianë, filozofë, sociologë e njerëz të profileve të ndryshme që janë munduar të japin kontributin e tyre në krijimin e një portreti sa më të plotë të Skënderbeut.

Kështu, të gjithë në forma të ndryshme, janë përpjekur të prekin dimensione të ndryshme të veprimtarisë së tij përgjatë njëzetepesë viteve sa veproi ai. Në përgjithësi, sikurse të gjitha figurat e mëdha të historisë, edhe Skënderbeu ka kaluar në filtrin e tri fazave të vlerësimit pas vdekjes. Faza e glorifikimit, rënia dhe rivlerësimi i tij. Faza e fundit, ajo e rivlerësimit, është më e rëndësishmja, ku përgjatë këtyre njëqind viteve ka vënë në lëvizje pena të njohura të shkencës dhe letërsisë shqiptare dhe asaj evropiane.

Meqë faktet kryesore (dokumentet historike) me aq sa janë të zbuluara deri më sot, janë të njohura dhe të njëjtat kanë kaluar në duar të shumë studiuesve, atëherë gara se kush është më afër një Skënderbeu real ka kaluar në çështje interpretimi. Në këtë mes, edhe pse më i hershmi, interpretuesi më i madh me nivelin më të lartë shkencor mbetet peshkop Fan Noli, për disa pika kyçe rreth historisë së Skënderbeut. Njëra nga pikat kyçe mbetet ajo e rikthimit të Skënderbeut në Krujë dhe qasja e tij ndaj kolonëve myslimanë, po e theksoj, kolonëve myslimanë, jo domosdo shqiptarëve myslimanë, dhe ky fakt duhet të jetë i mjaftueshëm që të heq shqetësimin edhe të atyre që e shohin me dioptrinë e sotshme Skënderbeun e mesjetës, se gjoja ka kryer krime ndaj popullsisë së tij.

Megjithatë, arsyeja që më nxiti të merrem me këtë problem është qarkullimi i një lajmi se kandidati i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Hysamedin Feraj, paska thënë që, Skënderbeu ka kryer më shumë masakra ndaj shqiptarëve myslimanë se sa vetë Perandoria Osmane, për të vazhduar më pas me qasjen e filozofit kontrovers, se Skënderbeu ishte i vetmi që bëri përjashtim nga tradita e mirë e tolerancës, harmonisë dhe vëllazërisë fetare ndër shqiptarë, e kultivuar ndër shekuj. Në këtë drejtim, nuk dua të hamendësoj për motivet e argumentuesit, edhe pse duke e njohur rrethin ku vepron në Tiranë, lehtë mund të futen edhe motivet e tij si arsye që e shtynë në një konstatim të tillë, megjithatë unë në cilësinë e një studenti të historisë, po merrem me argumentet e tij.

1. Së pari, konstatimi pa rezervë i Hysamedin Ferajt se Skënderbeu ka kryer masakër ndaj kolonëve myslimanë, tregon se ai nuk njeh fare dokumentet historike rreth periudhës së Skënderbeut. I vetmi burim i cili e konfirmon se Skënderbeu kreu masakër ndaj kolonëve myslimanë, është Marin Barleti. Por siç e cekëm, Hysmedin Feraj nuk e njeh as Skënderbeun, e aq më pak Marin Barletin si profil ideologjik prej humanisti dhe prifti katolik. Zoti Feraj duhet ta kuptojë njëherë e mirë se Marin Barleti librin e tij për Skënderbeun po e shkruante për lexuesin evropian, ku njëri nga qëllimet dhe shqetësimet bazë të tij (Barletit) ishte të krijonte një propagandë sa më të fuqishme antiosmane për ta mbajtur gjallë frymën e rezistencës dhe për ta mbrojtur atë Evropë ku mes tjerash Humanizmi dhe Renesanca kishin leshur shat, e cila ishte e rrezikuar nga egërsia osmane.

Në këtë drejtim, Barleti shpesh herë në librin e tij i vendos Skënderbeut atribute të cilat krijojnë profilin e një luftëtari të përbetuar të krishterimit ndaj islamit, por këto atribute (lexo: teza në këtë rast) nuk kanë gjetur mbështetje dokumentare, dhe si rrjedhojë mbeten të kontestueshme, e në mesin e tyre është edhe çështja e masakrës së Skënderbeut ndaj myslimanëve. Dhe tjetra, zoti Feraj, është ndër ata që veprën e Barletit për Skënderbeun nuk e konsideron fare si burim i besueshëm historik. Ironik është fakti që rreth kësaj çështje, zoti Feraj i beson fuqishëm Barleti, e jo aty ku Barleti njëmend vërtetohet edhe nga burime tjera historike.

2. Edhe po ta marrim të mirëqenë faktin që Skënderbeu kreu masakër ndaj kolonëve msyliman, përsëri zotin Feraj, insistimi i tillë e bën minimalisht naiv, maksimalisht tendencioz. Lehtësia e padurueshme me të cilën arrin në përfundim Hysamedin Feraj, se Skënderbeu kreu një masakër me motive të ngushta fetare, do të thotë të reduktosh figurën e Skënderbeut nga një profil i lartë prej politikani, ushtaraku e diplomati të madh në një kriminel të thjeshtë ordiner. Skënderbeu si politikan i zoti dhe ushtarak i madh e dinte se përplasja e tij ndaj Perandorisë Osmane pa një kundërmësymje evropiane ishte e destinuar të dështonte.

Kështu në funksion të këtij qëllimi, ai vë në lëvizje tërë kapacitetin e tij prej diplomati të madh për të shndërruar konfliktin e tij lokal në një konflikt global. Këtu qëndron zotësia e diplomatëve të mëdhenj, por mendja e vogël e Hysamednin Ferajt nuk sheh aq larg. Pra, për të vazhduar me Skënderbeun, ai e kishte të domosdoshme që iniciativa e tij të gjente përkrahje në Evropën e krishterë e cila e shihte me shqetësim zgjerimin e rrezes së ndikimit osman në Ballkan. Për tu bërë misionar i një lufte antiosmane, për Skënderbeun ishte jetike të kryhej një mision, dhe nuk nguroi aspak, “pagëzim e ndëshkim” dhe “ndëshkim e pagëzim” ishte motoja tij në prag të krishtlindjeve të motit 1443. Ky akt i tij, është shpjeguar më së mirë nga peshkop Noli, i cili thoshte se: masakra e Skënderbeut e kryer ndaj kolonëve myslimanë, ishte një akt i nevojshëm në përputhje me standardet e kohës. Me këtë akt Skënderbeu konfirmoi pozicionin e tij duke i shpallur luftë të shenjët Perandorisë Osmane të shkruar me gjak. Këtu, Fan Noli i madh e sheh diplomatin, Hysamedini liliput e sheh kriminelin.

Eh pra, kjo është njëra ndër përpjekjet e kota që heroin e shqiptarëve ta ulin në nivelin e kriminelëve të përditshëm. E mira e kësaj pune është se çdo herë kanë ngelur vetëm përpjekje. Skënderbeu i ka mposhtur dy sulltanë sa ishte gjallë, dhe do ti mposht edhe shumë të tjerë të vegjël mesazhi i tij.