
Që nga muaji maj i këtij viti, kur edhe u shfuqizua vendimi për Lojërat e Fatit, rreth 65 punëtorë të Lotarisë së Kosovës kanë mbetur pa paga.
Pas ndalimit të lojërave të fatit sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i ku janë përfshirë edhe lojërat e lotarisë, Lotaria e Kosovës e ka ndërprerë veprimtarinë e saj.
Ky vendim ka lënë pa paga rreth 65 punëtor të kësaj lotarie krejt kjo për shkak të mungesës së paqartësisë ligjore.
Të paktën deri në formimin e Qeverisë së re, nuk pritet hartimi i ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovë.
Ismet Uka, anëtar i sindikatës së Lotarisë së Kosovës ka thënë për lajmi.net, se rreth 65 punëtorë të kësaj lotari kanë mbetur pa paga që nga muaji maj i këtij viti.
Ai ka thënë se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës hartimin e ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovë, mirëpo pas rënies së Qeverisë gjendja ka mbetur e pa qartë.
Ndërsa, ministri në detyrë, i ministrisë së Financave, Bedri Hamza ka thënë për lajmi.net se kjo çështje nuk është në dorën e tyre për shkak se tani është një situatë e paqartë juridike.
Hamza ka thënë se presin që të krijohen institucionet e reja për të adresuar këtë çështje.
“Ju e dini që Qeveria ligjin e ka proceduar që të mbyllen lojërat e fatit duke përjashtuar Lotarinë e Kosovës, në Kuvend është vendosur që të mbyllën të gjitha lojërat e fatit duke përfshirë edhe Lotarinë e Kosovës. Është bërë vendimi në qeveri për me fillu koncept dokumenti për Lotarinë e Kosovës, është ra qeveri dhe ligji nuk ka mundur të ec tutje. Tani është një situatë e pa qartë juridike, dhe ne presim që të shtohen institucionet e reja dhe të adresohet kjo çështje. Kjo nuk është përgjegjësi e jona, është çështja që ne pa ligj nuk mund ta adresojmë këtë çështje”, ka thënë Hamza.
Kujtojmë se në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, Ministria e Financave kishte propozuar fillimin e procedurave për zgjidhjen e statusit të Lotarisë së Kosovës, për çka kishte marrë aprovimin e kabinetit qeveritar në mbledhje.
Për këtë çështje punëtorët e Lotarisë së Kosovës kishin mbajtur edhe protesta para Qeverisë së Kosovës, me kërkesën që të mbahet premtimi nga institucionet për miratimin e ligjit për Lotarinë e Kosovës.
Kërkesat e tyre ishin që inicimi sa më i shpejtë i Ligjit për Lotarinë e Kosovës, marrja përsipër e Qeverisë të pagave të punëtorëve të Lotarisë, si dhe mbulimi i shpenzimeve, të cilat i ka Lotaria e Kosovës ndaj qiradhënësve, lokaleve me qira dhe kontratave ndërkombëtare që i kemi.
Lajmi.net po ashtu gjatë ditës së djeshme ka raportuar se Shoqata e Kompanive të lojërave të fatit e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin që ndalon lojërat e fatit.