Kryetari i Shoqatës së Malaziasve të Kosovës Sllobodan Vujiçiq ka lëshuar një komunikat për medie, ku ka shprehur pakënaqësinë e tij në lidhje me vendimin e fundit të KQZ, me të cilin caktohet se pjesëmarrja në zgjedhje është e mundur vetëm për votuesit me dokumente kosovare.

Vendimi i Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës (KQZ), me të cilin caktohet se pjesëmarrja në zgjedhje është mundësuar vetëm votuesve me dokumente kosovare është plotësisht kundërligjor. T’ia marrësh të drejtën e votës qytetarëve të cilët gjenden në listën zgjedhore, është shkelja më e ashpër e të drejtave të njeriut dhe pikërisht të Ligjit mbi Zgjedhjet të Kosovës, më saktësisht të nenit 90 të Ligjit mbi Zgjedhjet dhe nenit 16 të Rregullit Zgjedhor 09/2013. Me këtë akt diskriminues janë goditur 20.000 malazias të cilët jetojnë në veri të Kosovës dhe të cilët janë të zhvendosur.
Prej rezultateve të këtij procesi zgjedhor varet ardhmëria e gjithë neve dhe të fëmijëve tanë, andaj, i bëjmë apel të gjithë faktorëve relevant në Kosovë të ndikojnë në KQZ që të mos e rrënojë legjitimitetin e zgjedhjeve dhe të mos lihen anash ato grupe të cilët janë kundër zgjidhjes së kompromisit në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Interesat e paqes së qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor duhet të jenë mbi interesat personale dhe interesat e vetëm njërës palë.