Gashi, Haradinajt: Shpresoj të jetë lapsus dhe jo ide – premtimi për 2000 policë shtesë, 100 prokurorë dhe 100 gjyqtarë

Gashi, Haradinajt: Shpresoj të jetë lapsus dhe jo ide – premtimi për 2000 policë shtesë, 100 prokurorë dhe 100 gjyqtarë

Arben Gashi i LDK-së i është kundërpërgjigjur Ramush Haradinaj, kandidatit për kryeministër nga radhët e AAK-së për zotimin e tij se në Kosovë do të ketë 2000 policë shtesë, 100 prokurorë dhe 100 gjyqtarë.

“Në këtë kohë të zgjedhjeve në të cilën ndodhemi, kur premtimet po kthehen në garë për përvetësimin edhe të ideve të huaja, shpresoj shumë që ajo për të cilën ka folur Kryeministri në detyrë të jetë një lapsus dhe jo ide e tij që buxhetin i cili duhet t’i dedikohet ushtrisë ta përdorë edhe për qëllime të tjera”, ka shkruar Gashi në Facebook, njofton Insajderi.

Ky reagim i Gashit ka ardhur pas një zotimi të Haradinajt.

“Deri në 2% të BPV-ja për mbrojtje të atdheut, +2000 policë shtesë për sigurinë në rrugë e lagjet tona, +100 prokurorë në betejën kundër krimit, +100 gjyqtarë shtesë në ndarjen e drejtësisë dhe zgjidhjen e lëndëve të panumërta që presin në radhë”.

“Ky është zotimi im. Ja kemi borxh Kosovës, t’i mbështesim ata që ruajnë dhe mbrojnë qytetarin e shtetin”, ka shkruar Haradinaj.

“Për ata që nuk po e kuptojnë qëndrimin tim rreth objektivit të NATO- së për shpenzimin e 2 përqindëshit të BPV për mbrojtje”, ka shkruar Gashi.

“Po e shpjegoj edhe një herë, mbrojtja nënkupton ushtrinë dhe të gjitha segmentet e ndërlidhura me ushtrinë, ndërkaq sundimi i ligjit ka të bëjë ekskluzivisht me policinë, prokurorinë dhe gjykatat”.

insajderi.com