Në “Ditën e Pastrimit të Botës’, mediet ndërkombëtare e kthejnë fokusin kah Kosova

Në “Ditën e Pastrimit të Botës’, mediet ndërkombëtare e kthejnë fokusin kah Kosova

Shteti i Kosovës është rikthyer në fokus të mediave ndërkombëtare me organizimin dhe koordinimin e Ditës së Pastrimit të Botës në më shumë se 160 shtete të ndryshme të botës.

Janë mediat më të mëdha ndërkombëtare si BBC, CNN, Voice of America, Fox News, Yahoo, Harper’s Bazaar dhe Eco Watch që kanë shkruar për aksionet që po organizohen në gjithë botën në kuadër të Ditës së Pastrimit të Botës që po organizohet nga Kosova këtë vit. Ky është një lajm jashtëzakonisht i mirë për Kosovën si shtet, për shkak të vëmendjes së madhe që kemi sot nga gjithë bota.

Ka disa orë që vullnetarë të shumtë nga Kosova po punojnë pandërprerë në Qendrën e Thirrjeve, ku po grumbullohen thirrje nga e gjithë bota lidhur me aksionet që po zhvillohen në kohë reale. Shifrat janë të larta! Kemi mbi 10 milionë vullnetarë që janë angazhuar në gjithë botë për vetëm pak orë, në dhjetëra shtete.  Por, akoma ka shumë për të parë, sepse edhe shumë shtete të tjera të botës do të aktivizohen me aktivitete në kuadër të ËCD-së.

Drejtori i Ditës së Pastrimit të Botës, Luan Hasanaj ka thënë se është përmes transmetimit 12 orësh drejtpërdrejt nga Kosova do të promovohen vlerat e shtetit tonë në gjithë botën.

Aksioneve të pastrimit, të organizuara nga shtetet që janë pjesë e Lëvizjes globale “Let’s Do It World” iu janë bashkuar mbi 18 milionë njerëz nga 157 shtete të ndryshme gjatë vitit të kaluar, duke e shndërruar në aksionin më të madh civil kundër mbeturinave në botë. Qëllimi i kësaj lëvizje globale është që të rrisë vetëdijen për dëmet që i shkaktohen planetit tonë si pasojë e keq menaxhimit të mbeturinave, andaj është i domosdoshëm angazhimi i individëve, kompanive dhe organizatave për një botë më të mirë, më të shëndetshme dhe një mjedis më të sigurt. Ideja pas aksioneve globale është e thjeshtë e veçantë. Çdokush mund të organizojë një aksion pastrimi, apo t’u bashkohet atyre që veçse janë organizuar, dhe natyrisht secili mund të zgjedh se çka, ku dhe sa shumë mbeturina do të mbledh.

Kryetarja e Lëvizjes globale “Let’s Do It World”, Heidi Solba ka thënë se “Lëvizja globale po rritet çdo ditë, dhe unë jam e sigurt se World Cleanup Day 2019 do të jetë më madhështore se secilën herë, me miliona qytetarë dhe qindra kompani e organizata që do t’i bashkohen aksionit.

Të gjithë ne jemi pjesë e zgjidhjes së krizës klimatike me të cilën po përballemi dhe të gjithë do të kontribuojmë”. “Dita e Pastrimit të Botës” ka tërhequr një numër jashtëzakonisht të lartë të njerëzve, të cilët e shohin këtë si mundësi që të japin kontributin e tyre për një planet më të pastër, përfshirë edhe qindra kompani dhe organizata. UNEP, UN, Habitat, Earth Day Network, Fridays For Future, Allianz, Toyota and Fujitsu janë duke pritur që t’u bashkohen aksioneve të pastrimit që do të ndodhin sot nëpër gjithë botën.

Të gjitha zhvillimet e fundit për “Ditën e Pastrimit të Botës” do të transmetohen në një program të drejtpërdrejt prej 12 orësh që ka nisur në orën 09:00 dhe do të shfaqet në Televizionin Publik të Kosovës (RTK4) dhe nëpër të gjitha rrjetet sociale.

Këtë vit, “Dita e Pastrimit të Botës” koordinohet nga shteti i Kosovës, andaj, në Prishtinë është lokacioni i qendrës së thirrjeve, përmes së cilës do të kontaktohen të gjitha shtetet e botës në të cilat është organizuar aksioni.