Si u bë që pas 16 vitesh, pikërisht në kohën kur autoritetet kosovare lajmëruan edhe zyrtarisht heqjen e çdo barrikade tek Ura e Ibrit që ndanë dy Mitrovicat, gjithçka të kthehet në pikën zero. Po ndërtohet një mur, që serbët lokal e quajnë një shëtitore, por nuk e ka pamjen e tillë
Hiq më larg se para një jave, Komisioni për Punë të Jashtme të Kuvendit, së bashku me Institutin Demokratik të Kosovës, do të vizitonin urën e Mitrovicës aty ku sipas të gjitha autoriteteve kosovare thuhej se po hapej ura.
Ata kishin bërë monitorimin e punimeve në urën mbi lumin Ibër, të shoqëruar edhe nga kryetari i kësaj komune Agim Bahtiri.
Madje Bahtiri në gusht të këtij viti, kur edhe kishte filluar revitalizimi i urës, kur kompania kishte larguar rrethojat në cepin jugor të urës, për të filluar edhe largimin e pishave të mbjella në cepin verior të urës e kishte quajtur vetën Zot shtëpie në Mitrovicë.
Ndërsa Edita Tahiri e kishte quajtur ditë historike, sepse po fillonte historia e bashkimit të urës pas 16 viteve që nga fundi i luftës.
Disa ditë më vonë, kryeministri Isa Mustafa, ishte krenuar me marrëveshjen për heqjen e barrikadave mbi urën e lumit Ibër që ndan Mitrovicën Jugore prej asaj Veriore.
“Me marrëveshje jemi përcaktuar që me datën 15 tetor të filloj lirimi i urës, dhe ura të shndërrohet në kantier, në mënyrë që të rikonstruohet me dy rrethrrotullime, njëri në pjesën jugore, tjetri në pjesën veriore, me staza për këmbësorë dhe për biçiklistë, dhe me pjesën në të cilën do të qarkullojnë automjetet e lehta dhe të rënda. E gjithë kjo do të zgjasë deri në fund të qershorit 2016 kur parashihet që në mënyrë komplete të lëshohet ura mbi Ibër në qarkullim, dhe me këtë do ta kemi lidhjen e pjesës jugore dhe pjesës veriore të Mitrovicës”, kishte thënë kryeministri në gusht të këtij viti.
Por kjo nuk ishte arritur.
Përkundrazi pak metra përtej urës së Ibrit, në hyrje të rrugës “Mbreti Petri 1” autoritetet lokale të Mitrovicës së Veriut nisën të ndërtojnë një muri, që u tha të jetë një shëtitore që do të nivelizohet me urën e Ibrit.
Muri është i gjatë 2 metra ndërsa gjatësia e tij arrin deri në 50 metra.
Por si ka ardhur deri te ky muri.
Në fillim ishin barrikadat
Barrikadat fizike, të instaluara në pikat kyçe të qarkullimit të qytetarëve si në këmbë, ashtu edhe automjete, ishin vendosur në vitin 2011 nga serbët lokal të veriut të Kosovës, asi që Qeveria e Kosovës e drejtuar nga presidenti i tanishëm i Kosovës, Hashim Thaci, kishte ndërmarrë për marrjen të dy pikave kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.
Dy nga shumë barrikadat e vendosura nga banorët lokal serb, ishin vendosur mbi urën kryesore të lumit Ibër, ndërsa tjetra ishte vendosur në Lagjen e Boshnjakëve, në veri të qytetit të Mitrovicës.
Aksioni i Policisë së Kosovës, në vitin 2011, për rivendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës dhe futjen nën kontroll të pikave kufitare, nuk solli rezultate të pritura, por vetëm sa u përkeqësua gjendja akoma.
Barrikadat ishin vendosur si shenjë e pakënaqësisë së serbëve lokalë ndaj intervenimit të Policisë së Kosovës për futjen nën kontroll të vendkalimeve kufitare në veriun e vendit.
Këto barrikada kishin qëndruar këtu deri në vitin 2013, përkatësisht me 19 prill të këtij viti kur në Bruksel ishte vendosur jo për heqjen e tyre por për “modernizim” të barrikadave.
Nga barrikada në Parku e Paqes
Me 18 Qershor 2014, në ora 05:00, ishte larguar barrikada mbi urën kryesore të lumit Ibër, barrikadë kjo e mbushur me zhavorr dhe gurë e që kishte qëndruar tri vite, ndërsa në po të njëjtën ditë, vetëm disa orë më vonë, një grup prej disa qytetarëve serb, përfshirë këtu edhe kryetarin e komunës së Mitrovicës së Veriut, kishin sjellë copa të betonit, me të cilat e kishin ri=bllokuar urën mbi lumin Ibër, duke vendosur vazo të betonit dhe duke mbjellë pisha mbi këto vazo. Banorët lokal serb, këtë barrikadë vendosen ta quajnë “parku i paqes”.
Me 22 Qershor 2014, parku i ashtuquajtur i paqes u shndërrua në eskalim të protestave të paralajmëruara të qeta në ato ditë. Disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe protestuesve u lënduan, ndërsa disa vetura të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe qytetarëve u dogjën. E gjithë kjo ndodhi si pasojë e “parkut të paqes”. Përshkallëzimi i protestave të qeta në pjesën Jugore të qytetit, rrit nivelin e pa sigurisë në pjesën Veriore të qytetit, kryesisht në pjesët e banuara me popullatë shqiptare. Sekretari permanent në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, thoshte se barrikadat i udhëheqin kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të Kosovës, e që kanë legjitimitet dhe janë të zgjedhur në mënyrë legjitime.
Muri përtej Urës
Por teksa situata dukej se po shkonte drejt normalizimit, ndodhi e kundërta.
Muri në veri të qytetit të Mitrovicës erdhi pikërisht në kohën kur tensionet ndërmjet grupeve etnike në qytet u zvogëluan dhe u vlerësua se po niste një periudhë e relaksimit të marrëdhënieve, përfshirë edhe procesin e revitalizimit të urës së Mitrovicës.
Goran Rakiq, kryetar i Komunës së Mitrovicës veriore ju tha mediave serbe se nuk bëhet fjalë për ndërtimin e një muri, por për shëtitore përgjatë lumit.
“Gjithçka që këtu që po punohet është në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel. Ai ka thënë se bëhet fjalë për nivelizimin e shëtitores gjegjësisht për në rrugën “Mbreti Pjetër” në këtë qytet”, ka deklaruar ai.
Nga ana tjetër, zyrtarët komunal në pjesën jugore të Mitrovicës, thonë se ndërtimi i një muri si ai që po ndërtohet pranë urës mbi lumin Ibër në veri, është shqetësim për ta dhe qytetarët.
Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Safet Kamberi, tha për Radion Evropa e Lirë se ndërtimi i murit nuk është çështje e komunës së jugut, por siç tha ai, vetë pamja e tij është e papranueshme.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, thanë të mërkurën se ‘muri që po ndërtohet në afërsi të urës mbi lumin Ibër, në pjesën veriore të Mitrovicës do të rrënohet’.
Ata e cilësuan ndërtimin si një veprim të paligjshëm dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit, për revitalizimin e urës mbi lumin Ibër.
Nëpërmjet një komunikate për media ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se ngritja e një muri në veri të Mitrovicës është në kundërshtim me ligjet e Kosovës./Insajderi.com