Nisën ditën me përvjetorin e Xhevë dhe Fehmi Lladrovcit – Kjo ishte e diela ‘sportive’ e pesë kandidatëve për kryeministër

Nisën ditën me përvjetorin e Xhevë dhe Fehmi Lladrovcit – Kjo ishte e diela ‘sportive’ e pesë kandidatëve për kryeministër

E diela e 22 shtatorit nuk kishte se si të fillonte ndryshe për pesë kandidatët për kryeministër të Kosovës, përveç se me përvjetorin e 21-të të rënies heroike të Xhevë e Fehmi Lladrovci. Që të gjithë kandidatët nisën ditën duke përkujtuar veprën e tyre heroike. Pas shkrimeve që i bënë në rrjetet sociale për ta, kandidatët ia mësynë komunave të Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj, pas disa punëve që kreu në mëngjes me kandidatët për deputetë të koalicionit të udhëhequr nga ai, shkoi në Gjilan. Sapo nisi fjalimin e tij në këtë qytet, pas disa minutave ishte koha e lutjeve, ku nisi të thirrej ezani. Kjo gjë ia ndërpreu fjalimin Haradinajt, i cili ndaloi për pesë minuta duke e respektuar këtë rit të fesë islame. Duartrokitjet nuk munguan nga të pranishmit ndërsa pas përfundimit të ezanit, ai vazhdoi fjalimin. Këtu nisi kritikat e tij drejtuar PDK-së dhe LDK-së. Edhe presidenti Hashim Thaçi, ishte pjesë e thumbimeve të tij.

“Z.Thaçi edhe z.Veseli, nuk kanë mundur ta bëjnë shkëputjen pas pavarësisë dhe një lloj varshmërie për motive që sot është herët me i definu. Ata i kanë nxjerrë në vështirësi edhe partnerët e vet”, ka thënë Haradinaj derisa ka folur edhe për LDK-në.

“LDK u kthy në mbajtëse të PDK-së në pushtet, siç ishte rasti i presidentit Thaçi dhe z. Veseli për kryeparlamentar. Ata gjithmonë arsyetohen se po u kërkojnë miqtë ndërkombëtar, por kjo vjen nga paaftësia”, është shprehur ai.

Kandidati për kryeministër nga koalicionin AAK-PSD, Ramush Haradinaj, në këtë tubim në Gjilan po ashtu ka folur edhe për Luginën e Preshevës, duke thënë se kanë një projekt për të.

Kadri Veseli, kandidat për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, ishte në Roganë dhe Koretin të Kamenicës. Nga atje, ai tha se qeveria e tij do t’i mbështesë me subvencione të veçanta të gjithë banorët e zonave kufitare për ta zhvilluar jetën e tyre atje. Ai po ashtu vizitoi edhe banorët e fshatrave Dobërçan, Përlepnicë dhe Zhegër.

“Vetëm ata që e njohin rrugëtimin e Kosovës, i pranojnë vlerat, mundin, sakrificat, sukseset dhe gabimet, e dinë saktë se cili është drejtimi më i mirë që duhet të marrë vendi ynë”, ka shkruar në Facebook, Veseli pas takimeve me banorët.

Ditën ai e përfundoi me vizitën në Gadime të Lipjanit.

“Gadimja e Lipjanit, nuk njihet vetëm për shpellën e njohur me kristale tejet të veçanta. Por, edhe për mbështetjen e kristalizuar për Partinë Demokratike të Kosovës”, ka shkruar kandidati për kryeministër nga PDK.

E Vjosa Osmani, kandidatja e LDK-së, për kryeministre të Kosovës, përpos Prishtinës ishte edhe në Mitrovicë në vendlindjen e saj.

“Sot në Kullën e Isa Boletinit, në veri të vendit, u dëgjua vetëm një zë: ai i paprekshmërisë së kufijve të Kosovës, i mbrojtjes së sovranitetit, e i mbrojtjes së nderit dhe sakrificës së paraardhësve tanë”, ka shkruar ajo në Facebook, duke e shoqëruara me një fotografi nga atje.

Ajo ditën e përfundoi në Parkun e Kryeqytetit ku tha se ka bashkëbiseduar me të rinjtë e kryeqytetit të cilët edhe e pyetën atë se si do të fuqizohet sistemi i drejtësisë në vend.

““Vettingu nënkupton që të bëhet një vlerësim i pavarur ndërkombëtar për secilin gjykatës dhe prokuror, jo sikur në vitin 2008 kur është bërë vetëm një testim”, u përgjigj  Osmani.

Ndërsa kandidati për kryeministër nga koalicioni NISMA-AKR, Fatmir Limaj, sot nuk lëvizi nga Prishtina. Ai në kryeqytet në Pallatin e Rinisë, mbylli turin e takimeve me strukturat e partisë së tij. Nga aty, ai thumboi ish-partnerët e koalicionit qeverisë.

“Ne vazhdojmë të themi që atë që e kemi bërë për dy vjet, të japim rezultate konkrete, të tjerët disa po mundohen t’i marrin ato merita, e disa s’kanë çka bëjnë”, tha Limaj.

Edhe Albin Kurti, kandidat për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, zgjodhi disa vende të Kosovës për të bërë premtimet e tij. Nga Prishtina, ai shkoi në Petrovë të Shtimes e pas saj u ndal në Hajvali. Në Shtime, dukej se përveq Kurtit e kishin ftohtë edhe qytetarët që ishin mbledhur për ta dëgjuar. Ndërsa një qytetarë dëgjohej teksa i thotë atij: “Na i mërdhine pleqt”. Në Petrovë Kurti takoi shokun e burgut.

“Më lejoni tu dëshirojë mirëseardhje në Vetëvendosje dhe të ju them mirë se e gjejë këtu në Petrovë anëtarin më të ri e shokun tim të vjetër të burgut bacën Behgjet Hashimin”, përshëndeti Kurti, shokun e vjetër të burgut, teksa vazhdoi të flasë për qeveritë e kaluara./ Insajderi.com