Në takimin me Mitsotakis, Thaçi doli përballë një fytyre të njohur për të

Në takimin me Mitsotakis, Thaçi doli përballë një fytyre të njohur për të

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

E në tavolinën e diskutimit mes dy kabineteve, përballë presidentit Thaçi, qëndronte Alexandra Papadopoulou, ish-shefja e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX). Papadopoulou, e cila nga viti 2016 deri më 2019 shërbeu si shefe e EULEX-it, tash kryen detyrën e shefes së Zyrës për Diplomaci të kryeministrit të ri grek, Kyriakos Mitsotakis.

Në takimin me Mitsotakis, Thaçi falenderoi kryeministrin grek për mbështetjen që shteti i tij i ka dhënë Kosovës në proceset e integrimeve euroatlantike.

“Tani është koha që bashkëpunimin  e mirë të deritanishëm ta zgjerojmë, ta rrisim një bashkëpunim të mirëfilltët ndërmjet dy shteteve tona”, tha ai.

Në takim është biseduar edhe për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar si dhe në arsim dhe kulturë. Nga ana tjetër, kryeministri Mitsotakis ka theksuar se Greqia mbështet perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndryshe, presidenti Thaçi, gjatë ditës do të zhvillojë takime të shumta me liderë nga shtete të ndryshme të botës.