
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka folur rreth 15 ftesave të reja nga Prokuroria e Gjykatës Speciale të Hagës që kanë ardhur së fundmi për ish-ushtarët e UÇK-së.
Haradinaj e ka konfirmuar për Insajderi, që 10-12 nga 15 ftesat për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë kryesisht nga rajoni i Llapit.
“Informacionet që na kanë ardhur janë rreth 15 ftesa të reja, kryesisht janë nga rajoni i Llapit, diku 10 ose 12 ftesa janë nga ky rajon”, ka thënë Haradinaj për Insajderi.
Tutje, Haradinaj ka kritikuar ashpër qasjen e Gjykatës Speciales, që sipas tij është e njëjtë për të gjithë të akuzuarit.
“Thirrja e tyre është “blako” njësoj sikurse për dëshmitarët ashtu edhe për të dyshuarit është e njëjta sjellje, i njëjti tekst, dikën e vendosin si të dyshuar, dikë si dëshmitar e dikë si dëshmitar i dyshuar”, ka thënë Haradinaj.
Ai gjithashtu ka thënë se i ka informuar avokatët e oborrit mbretëror të Britanisë së Madhe për këtë qasje jo-njerëzore që e kanë përfaqësuesit e Gjykatës Speciale, në një takim që e kanë pasur si nënkryetar i OVL e UÇK-së.
“Në një takim ma avokatet e oborrit mbretëror të Britanisë së Madhe që e kemi pasur, ata janë befasuar me qasjen e thirrjeve të Gjykatës Speciale, Ata na kanë premtuar që këtë çështje do ta trajtojnë shumë mirë dhe se do t’i publikojnë nëpër gazetat më të njohura britanike dhe amerikane, gjithashtu, ata na kanë premtuar se kanë me ju shkru edhe prokuroreve të Speciales për këtë qasje të tyre”, ka thënë Hardinaj për insajderi.
Haradinaj gjithashtu ka folur për Petrit Bojaxhiun, i cili gjatë ditës së sotshme do të udhëtoj për në Hagë për t’u intervistuar nga hetuesit e Gjykatës Speciale.
“Për Petrirt Bojaxhiun nuk kemi shumë informacione, neve na u është thënë që ai është thirrur në rolin e të dyshuarit, mirëpo, nuk e dimë a është në në rolin e të dyshuarit apo në rolin e dëshmitarit të dyshuar, këtë nuk e di saktë”.
I pyetur për refuzimin e ftesës së Gjykatës Speciale nga Bashkim Gashi, Haradinaj ka thënë se ai e ka refuzuar atë si masë kundërshtuese për qasjen jo korrekte të kësaj Gjykate.
“Bashkim Gashi është njeri intelektuale, ai është vetë Juristë dhe natyrisht që e ka refuzuar ftesën si masë kundërshtuese për qasjen e Gjykatës Speciale, sepse qasja e tyre ka qene jo-njerëzore ku po na trajtojnë sikur njerëz të xhunglës”, ka thënë ai.
Në fund, Haradinaj thotë se pret reflektim të Gjykatës Speciale sikurse në rastin e thirrjes së Time Kadrijaj dhe Safete Hadërxhonaj, pasi që sipas tij procedurat deri tek shkuarja në Hagë marrin kohë deri në 33 orë.
“Po presim naj reflektim, dhe pse këta kanë reflektuar atë ditë kur e kanë marrë Time Kadrijan dhe Safete Haderxhonaj. Këto janë të vetmit raste qe janë kryer për 4 orë procedurat, sepse në rastet tjera këto procedura shkojnë deri në 30-33 orë”, ka përfunduar Haradinaj.