![Kush është Gazmend Syla, kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës](https://insajderi.com/wp-content/uploads/2019/09/70090718_3093210824054937_3182624663880597504_o-730x440.jpg)
I lindur në Grabanicë të Klinës, Gazmend Syla, si 16-vjeçar i ishte bashkuar UÇK-së, duke shërbyer në njësi të ndryshme të Zonës Operative të Dikagjinit (Batalioni Tigrat; Brigada 132 Myrtë Zeneli; Njësiti intervenues i ZOD). Krejt kjo kishte ardhur pasi që familja e tij ishte strehë e celulave të para të UÇK-së.
Pothuajse gjatë tërë kohës ishte përkrah komandantit Ramush Haradinaj deri në mbarimin e luftës. Bashkëluftëtarë i shumë heronjve, dëshmorëve e komandantëve të zot si Shkëlzen Haradinaj, Naser Brahimaj, Fadil Nimani, Lahi Brahimaj, Maliq Ndreca e të tjerë.
Pas Luftës Çlirimtare u angazhua në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, fillimisht në Zonën e II-të Mbrojtëse e më pas në Shtabin e Përgjithshëm.
Gazmend Syla është njëri prej themeluesve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, anëtar i Këshillit Drejtues dhe Kryesisë qendrore të saj.
Që nga tetori 2016 ai mban postin e kryetarit të degës së OVL të UÇK-së në Pejë dhe së fundi ishte Këshilltar politik i Kryeministrit Ramush Haradinaj si dhe drejtor i Zyrës për Çështjet e Kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së.
Kontribuon vazhdimisht në mbështetje të aktiviteteve kulturore, sportive dhe humanitare. Është anëtar i Bordit të shoqatës humanitare “Duart plotë mëshirë”, si dhe nënkryetar i Klubit të Atletikës “Envernele”.
Gazmendi me profesion është jurist. Jeton në Vitomiricë të Pejës, është i martuar dhe i ka dy fëmijë.
Në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës kandidon për herë të parë. Ai mban numrin 56 në listën e koalicionit AAK-PSD.
Ai ka thënë se nëse do të marrë besimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, do të jetë zë i tyre i fuqishëm në kuvend.
“Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nëse do të marr besimin e qytetarëve të Kosovës, do të jem zëri i tyre e në veçanti zëri i kategorive të dala nga lufta e UÇK-së”, është shprehur Syla.