
Sfidat me të cilat është përballur gjatë rrugëtimit të saj si atlete, kanë bërë që Gentiana Beqa t’i futet garës për deputete të Kuvendit të Kosovës.
Beqa, e cila njëherësh është edhe profesoreshë në Fakultetin e Edukimit Fizik, thotë se në Kuvend do të propozojë iniciativa që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve për t’u marrë me sport.
Në rast se zgjidhet deputete e Kuvendit të Kosovës, kampionia botërore e Fitnesit thotë se nuk do të merret më me gara, në të cilat, që nga 2017-ta, disa herë ka dalë e para në botë.
37-vjeçarja nga Gjakova, shpreson se rrugëtimi i saj do të jetë frymëzim edhe për gratë e vajzat e tjera.
Gentiana Beqa-Ahmeti është anëtarësuar në Partinë Demokratike të Kosovës tre ditë para se kjo parti ta publikonte listën e kandidatëve për deputet.