Ministri i Arsimit fajëson planprogramet e shkollave për rezultatin e PISA-s

Ministri i Arsimit fajëson planprogramet e shkollave për rezultatin e PISA-s

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, duke folur për rezultatet e dobëta të nxënësve kosovarë në testin e PISA-s, ka thënë se shkaktari kryesorë i këtyre rezultateve janë planprogramet që i kanë zbatuar shkollat për mësimnxënien.

Ani pse këto planprograme ishin hartuar gjatë kohës sa partia e tij ka qenë në pushtet, dhe kryeministër ka qenë Hashim Thaçi, Bajrami ka thënë se këto planprograme kanë qenë të ngarkuara me shumë teori e pak qasje në pratikë, tek nxënësit e shkollave fillore por edhe të mesme.

“Testi PISA ka treguar se nxënësit nuk mundin te marrin teoritë praktike ne shkolla, ne nuk kemi pasur programe adekuate për mësimin praktik” ka Bajrami, në emisionin “Përballje” në Tv Dukagjini.

Sipas ministrit, mungesa e një planprogrami adekuat për mësim ka ndikuar që të mos ketë rezultate të mira në testin e PISA, i cili ka nxjerrë nxënësit kosovarë ndër më të dobëtit në fushën e shkencës, matematikës dhe të lexuarit, në të gjithë botën.

Më saktësisht, Kosova renditet në vendin e 68 nga 70 vende të botës.

Në fushën në të cilën ai e drejton ai ka gjetur disa defekte, përfshirë problemet me tekstet me të cilat nxënësit mësojnë me literaturë të vjetur deri në 20 vite si dhe mungesa e praktikës së nxënësve.

“Tekstet tona mësimore ka 20 vjet që përdoren tekstet e njëjta mësimore, kam gjetur tekste me anomali, tekste të pasakta” ka thënë ai.

Bajrami ka thënë se nxënësit kosovarë janë të aftë dhe se rezultatet e testit të PISA-s, sipas tij nuk kanë të bëjnë me atë se a lexojnë fëmijët bukur, pasi që ai thotë se fëmijët dinë të lexojnë edhe anglisht si dhe pa hyrë në shkollë dinë tabelën./Insajderi.com