Olluri sjell Profetin Muhamed në Prishtinë

Shkruan: Agron Gashi

Olluri sjell Profetin Muhamed në Prishtinë

Librin me tregime të Adil Ollurit “Kthimi i Profetit”, nuk e kam lexuar siç thuhet shpesh ‘me një frymë’, por secilin tregim e kam lexuar si frymë në vete.

Ato janë rrëfime për paradoksin, për mirazhet dhe mëkatet njerëzore, gjithnjë duke vënë njeriun përballë utopisë, në përmbysje të ideologjive të mëdha, për cenet e teket njerëzore.

“Kthimi i Profetit” është një komedi e re njerëzore dhe një satirë hyjnore, që, kësofare, nuk e kemi parë deri më tani në tregimet e letërsisë bashkëkohore shqipe.

Autori e kthen Profetin Muhamed në Prishtinë, i cili ballafaqohet me të pavërtetat e “ymetit” të tij, pastaj për të mos i rezistuar tundimit të bukurisë femërore, autori bën një provokim sa tematik, po aq estetik.

Në një tregim tjetër, imami krijon gënjeshtrën e madhe për mëkatin me vashën e bukur, “më të bukur se xhevahiri i Medinës”, pastaj gënjen se ai kishte qenë duke kryer ritet religjioze në emër të Krijuesit (Në barkun e Balenës- referencë kuranore), duke ndjekur një linjë tematike me fabula të ndryshme deri te një proleksë sui generis përmes së cilës ngre hipoteza dhe shtron profeci alla Houellebecq se si do të duket vendi ynë pas disa vjetësh; kush do ta sundojë shoqërinë, kulturën, politikën dhe si do të shpërbëhet identiteti ynë (“Sheshi i ndryshuar”).

Pra, tregimet, “Barku i Balenës”, “Sheshi i ndryshuar”, “Tender për transport kufomash”, përafërsisht kanë një lidhje tematike, e cila fillon dhe thyhet tek tregimi “Funerali im”, rrëfim nga një perspektivë e pazakontë e narratorit, përderisa loja me kodet kulturore (Barthes) e letrare shpërfaqet te tregimi “Vdekja e autorit”.

Tregimi “Lufta e minjve” është një alegori për fuqinë përballë vogëlsisë, ndërsa “Pa duar” rrëfim për paqen dhe mbijetesën intelektuale. Ndërsa, tregimet që tematizojnë luftën, herë me trajta simbolike e simboliste, këtë libër tregimesh e bëjnë një përmbledhje që lëviz nga paradoksi, te alegoria e fortë e deri te tregimet që metaforë kanë dhimbjen individuale, e metonimi kujtesën kolektive. Kështu janë të ‘markuara” edhe tregimet “Vrasesi i Titos”, “Thika e një presidenti”, “Plaku dhe tri fotografitë”, “Më jepni dicka të fshij gjakun”, “Nuk e varrosem dëshmorin” dhe “Transistori” etj.

“Kthimi i Profetit” është rrëfim për njeriun, profetin dhe besimin e tundur, rrëfim për mëkatet njerëzore, pro et contra parimeve hyjnore.

Mos e leni pa e lexu!