Numërohen 40% të votave nga diaspora – mësohet kur pritet të përfundojë numërimi

Numërohen 40% të votave nga diaspora – mësohet kur pritet të përfundojë numërimi

Nga mëngjesi i sotëm, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur numërimi i fletëvotimeve të ardhura me postë.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka dhënë më shumë detaje për Klan Kosovën se si ka shkuar ky proces deri tani.

“Prej orës 10:00 të ditës së sotme, kemi filluar me numërimin e 13 mijë e 500 fletëvotimeve të cilat kanë ardhur nga jashtë vendit gjatë periudhës kohore 19 shtator deri më 5 tetor 2019”.

“Procesi i numërimit të këtyre fletëvotimeve është duke vijuar pa ndonjë problem. Grupet numëruese kanë numëruar gjatë gjithë këtyre orëve dhe në bazë të të dhënave të fundit janë diku rreth 40 % të fletëvotimeve të cilat janë numëruar deri tani”.

“Në bazë të kësaj dinamike, po shpresojmë që gjatë ditës së sotme, deri në mesnatë, do të arrijmë ta përmbyllim numërimin e këtyre fletëvotimeve”.

Elezi ka thënë se rezultatet e numërimit të këtyre fletëvotimeve transmetohen vazhdimisht në tabelën që është e vendosur në QNR.

“Rezultatet janë duke u transmetuar në tabelë në QNR – e cila përditësohet vazhdimisht sapo të kemi të dhëna nga një tavolinë numërimi”.