Zjarr në një mal në Kamenicë – Digjen shumë hektarë pyll

Zjarr në një mal në Kamenicë – Digjen shumë hektarë pyll

Shumë hektarë pyll janë djegur e po digjen edhe sot në Kamenicë. Temperaturat e larta vjeshtore po bëjnë që djegia e drunjve në male të mos ndalet, por për fatin e keq po e rrisin intensitetin.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati përmes një postimi në ‘Facebook’, ka bërë thirrje te qytetarët të kenë kujdes të shtuar dhe të mos shkaktojnë zjarre në hapësira malore, sepse thatësia në këtë periudhë është e madhe dhe zjarri përhapet lehtë.

“Sapo mora një informatë që një hapësirë e një mali në Kamenicë është kapluar nga zjarri. Fatmirësisht zjarrëfikësit kanë intervenuar me kohë dhe zjarri nuk është përhapur më shumë. 🚒🚨Lus qytetarët që të kenë kujdes të shtuar dhe të mos shkaktojnë zjarre në hapësira malore, qoftë nga djegia e fushave, hamulloreve apo mbeturinave, sepse thatësia në këtë periudhë është e madhe dhe zjarri përhapet lehtë. Ta ruajmë ambientin dhe ta duam natyrën”, ka shkruar Kastrati.

Ndërkohë, fotografi Arian Mavriqi sjell pamjet shqetësuese nga djegia e qamit (bredhit), në Kamenicë.