Përleshja në kuvend, përfshirja në fajde dhe deklarata me 2-3 milionë euro – A ishin këto arsyet pse Xhavit Haliti nuk arriti të bëhet deputet

Përleshja në kuvend, përfshirja në fajde dhe deklarata me 2-3 milionë euro – A ishin këto arsyet pse Xhavit Haliti nuk arriti të bëhet deputet

Deputeti që cilësohej si  deputet i ‘përjetshëm’ i Kuvendit të Kosovës, nuk do të jetë më pjesë e ulëseve të parlamentit. Kjo pasi që, sovrani në zgjedhjet e 6 tetorit vendosi ta largojë që të jetë pjesë e legjislaturës së VII-të, Xhavit Halitin, njërin nga figurat më të rëndësishme dhe konstante të Partisë Demokratike të Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

Haliti, mbeti jashtë. E kjo shënon herën e parë të tij jashtë këtij institucioni shtetërorë, pasi që, për tu bërë deputet i kësaj legjislature atij i janë dashur mbi 7500 vota të cilat nuk arriti t’i marr. Madje befasia e madhe ishte në kryeqytet ku ai siguroi vetëm 734 vota.

Xhavit Haliti, ka qenë gjithmonë deputet i PDK-së. Ai ishte edhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

Por, duket qartë se në këto zgjedhje nuk ia mbushi më syrin sovranit që ta votojnë, e kjo mbase se herë pas herë Haliti ka qenë pjesë e disa skandaleve në kuvend. Kur jemi te skandalet kujtojmë atë të viti 2018-të, kur e sulmoi fizikisht ish-deputetin e LDK-së, Arben Gashin.

Pas kësaj, Prokuroria e Shtetit, nisi hetimet. E, 3 muaj më parë Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngriti aktakuzë ku Haliti, u ngarkua me veprën penale ‘sulm’.

Përveç kësaj, ish-deputeti Xhavit Haliti, dyshohet se është i përfshirë në rastin “Fajdet”. Madje në videot që ka siguruar Gazeta Insajderi, janë disa momente kur mashtruesit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, e lakojnë emrin e Xhavit Halitit. Rexhepi dhe Hashimi i marrin nga Dalladaku 50 mijë euro për t’ia dërguar Halitit. Pas dy javësh plani ishte t’i dorëzohen në total 120 mijë euro. Mirëpo, krejt kjo e nxori si viktimë Xhavit Halitin, pasi që, ky i fundit nuk kishte lidhje me Rrahim Hashimin dhe Kadri Rexhepin, dhe emri i ishte përmendur pasi që, Haliti konsiderohej si person i fuqishëm në vend.

Kjo nuk ishte e tëra. Halitit, iu bë virale në internet dhe jo vetëm, deklarata e tij në një emision televiziv, kur tha se secili qytetarë sot i ka 2-3 milionë euro pasuri.

Ndonëse Gazta Insajderi, ka thirrur ish-deputetin e PDK-së, Xhavit Halitin, për ta pyetur se çka ka ndikuar që ai nuk ka arritur t’i marr votat që të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës, ai posa ka dëgjuar se po e thërrasin nga Insajderi, ka mbyllur telefonin, duke mos dashur të përgjigjet./ Insajderi.com