Gjykata Speciale flet për arrestimet e mundshme gjatë këtyre javëve

Gjykata Speciale flet për arrestimet e mundshme gjatë këtyre javëve

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave apo javës që po vjen, Gjykata Speciale do të kryejë edhe arrestimet e para në Kosovë.

Për këtë Haradinaj ka thënë se ka marrë informacione nga disa avokatë të cilët i njeh e të cilët punojnë në Gjykatën Speciale.

Christopher Bennet, zëdhënës i kësaj Gjykate, ka thënë se për shkaqe etike dhe ligjore nuk mund t’i komentojnë çështjet operacionale, dhe nuk ka pranuar të japë detaje rreth afateve kohore, se kur potencialisht mund të ketë edhe ndonjë vendim për ndjekje penale të ndonjë individi.

Ai tutje ka sqaruar që në rast se autorizohen mund të ndjekin penalisht individët, rreth krimeve të cilat pretendohen në Raportin e Këshillit Evropian të vitit 2011 e në të cilin flitet për “trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”.

“Gjykata Speciale nuk komenton çështjet operacionale apo afatet kohore për arsye etike, profesionale e ligjore. SPO ka mandat për të hetuar dhe, nëse autorizohet, të ndjekë edhe penalisht individët për krimet e pretenduara në Raportin e Këshillit Evropian të janarit të vitit 2011 “Trajtimi çnjerëzor dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”, i cili do të vazhdojë të zbatohet”, ka thënë Benett për Gazetën Express, transmeton Insajderi.

Ndryshimet kushtetuese që i kishin hapur rrugë krijimit të Gjykatës Speciale ishin votuar me shumicë votash në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 3 gusht të vitit 2015.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës i kishin thënë “Po” themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare. Në momentin e votimit në seancë kishin qenë të pranishëm 117 deputetë./GazetaInsajderi/