Vuçiq: Kurti po shoqërohet me Rada Trajkoviqin

Vuçiq: Kurti po shoqërohet me Rada Trajkoviqin

Presidenti  serb Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se jo vetëm që nuk shikon me “dylbi ushtarake” në drejtim të Kosovës dhe Shqipërisë, por dëshiron bisedime dhe marrëveshje.

Presidenti serb, në një prononcim për mediat serbe, ka reaguar ndaj deklaratës së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatit për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se marrëveshja me Serbinë nuk ishte në prioritetet e tij, dhe se Serbia duhet të përballet me të kaluarën e saj, “në vend se ta shikojë Kosovën dhe Shqipërinë përmes dylbive ushtarake”.

“Kurti po shoqërohet me Rada Trajkoviqin, prandaj do të donte ta rregullojë skenën politike në Beograd. Nuk kam asgjë kundër, e di edhe një tjetër që tha se puna ime fo të mbarojë deri në Shën Nikollën, vitin e kaluar… Ramush Haradinaj, por duket se puna e tij mbaroi para meje”, tha Vuçiq, përcjell Telegrafi.

Vuçiq theksoi se “është dëshirë obsesive e shumë politikanëve shqiptarë të mos e shohin atë në pushtet”, dhe përkujtoi se “Kurti  në vitin 2016 tha se rreziku më i madh për pavarësinë e Kosovës është Aleksandar Vuçiqi”.

Në konstatimin e gazetarëve se Kurti ka  thënë se nuk do ta heq taksën ndaj mallrave serbe derisa Serbia të lejojë që mallrat e Kosovës të eksportohen lirshëm, Vuçiq tha se nuk e din se çfarë në të vërtetë dëshiron Prishtina.

“E keni marrëveshjen e  CEFTA-s dhe keni eksport plotësisht të lirë, nga këndi juaj. Nga këndi ynë, kjo është një tregti me Serbinë qendrore, por krejt njësoj. Unë nuk e di se çfarë mendojnë dhe çfarë duan”, tha Vuçiq.

Ai tregoi se duhet të pritet derisa të formohet qeveria në Prishtinë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendoosje, Albin Kurti, një intervistë për “The Guardian”, tha se Beogradi  duhet të përfundojë fushatën diplomatike ndërkombëtare për të bindur vendet që të mos njohin Kosovën”.

“Nëse ata duan të fillojnë dialogun, ata duhet të ndalojnë në mënyrë eksplicite shpifjet për të drejtën tonë për shtetësi… Serbia duhet të përballet me të kaluarën e vet, në vend që t’i shikojë Kosovën dhe Shqipërinë përmes dylbi ushtarake”, ka thënë Kurti.