
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka mirëpritur miratimin e rezolutës për ndriçimin e vrasjes së vëllezërve Bytyçi, nga Dhoma e Përfaqësuesve.
“E mirëpres miratimin e rezolutës “Bytyçi” nga Senati i SHBA-së, që shpreh pakënaqësi me vonesat që po bën Serbia në dënimin e fajtorëve për vrasjen e vëllezërve Bytyçi nga aparati shtetëror serb në vitin 1999”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Tutje, Thaçi ka shtuar se kur është në pyetje Kosova, SHBA-ja është një dhe pa dallime partiake.
“Kjo mundëson që të shtyhet përpara çështja në instancat më të larta të SHBA-së, por gjithashtu tregon se kur është në pyetje Kosova, SHBA-ja është një, pa dallime partiake. Për ne është inkurajim që të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për të gjitha viktimat e regjimit serb në Kosovë dhe se drejtësia për vëllezërit Bytyqi më në fund do të vihet në vend”, ka shkruar Thaçi.
Dhoma e Përfaqësuesve, miratoi të martën një rezolutë, me të cilën i kërkohet Serbisë që të vërë para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, në vitin 1999, ndërsa bën thirrje që përparimi në ndriçimin e këtij rasti të jetë “faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”.