Cilësia e verërave të Kosovës po pëlqehet nga konsumatorët brenda dhe jashtë vendit. Vlera dhe shija e tyre po matet në laboratorin e verërave në Rahovec. Laboratori është i akredituar në bazë të standardit 17025 që nga viti 2014.
“Në laborator bëhet testimi i verërave, si për eksport edhe për import të verës. Në laborator vinë mostrat, shifrohen dhe në laborator më pas testohet vera. Në bazë të parametrave fiziko-kimik të verës, lëshohet certifikata për eksport ose import të verës”, tregon Selami Vuçitërna, menaxher i laboratorit.
Në këto anë punohet me shumë përkushtim nga vreshtarët rahovecianë.
Njëri nga ta është edhe Hilmi Daka, i cili merret me kultivimin e rrushit tash e katër dekada.
“Unë tani edhe pajisjet i kom të përsosura edhe jam i kënaqur me rendimentet. Këtë vit i kam katër hektarë me vreshta dhe jam tejet i kënaqur edhe me sasinë e edhe me cilësinë”, tregon Daka. Ky vreshtarë nuk i fshehë edhe fitimet që sjell vreshtaria.
“Shumë jemi të kënaqur. Me këto vreshta çka i kemi e çka na kanë lënë të parët mbajmë familje, shkollojmë fëmijë dhe kryejmë gjitha obligimet”, thotë Daka.
Por, ky ka një brengë. Sipas tij të rinjtë nuk po shprehin interesim të madh për vazhdimin e traditës në vreshtari.
“Krejt kanë llogari të merren me kultivimin e rrushit. Por, kjo rini nuk dëshiron të niset, si ne që jemi në moshë. Ata po kërkojnë vetëm ku është me lehtë të fitojnë”, thotë Daka.
Ky vreshtarë i vjetër ka frikë se në tokat e Rahovecit pas disa viteve mund të mos ketë vreshta. Që kjo mos të ndodh, po kujdeset Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Nga viti 2010 MBPZHR-ja ka mbështetur fermerët vreshtarë dhe kompanitë prodhuese të verës me mbi 20 milionë euro.
Fermerët vreshtarë mbështeten për mbjelljen e vreshtave të reja me grante 60% nga MBPZHR dhe me 40% nga fermeri. Gjithashtu vreshtarët subvencionohen në baza vjetore me nga 1000 euro për hektarë në emër të mirëmbajtjes së vreshtave.
Mbështetje ministria jep edhe për prodhuesit e verërave.
Kompanitë prodhuese të verës mbështeten me grante 50% me 50%. Gjithashtu kompanitë prodhuese mbështeten edhe me 0.04 cent për litër verë të prodhuar dhe të deklaruar zyrtarisht.