Dënohet me dy vjet burgim personi që tentoi të mashtronte Gazmend Muhaxherin

Dënohet me dy vjet burgim personi që tentoi të mashtronte Gazmend Muhaxherin

Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore të Pejës ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit B.SH për mashtrim të kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Sipas Gjykatës, më 28.04.2016, në Komunën e Pejës, me anë te paraqitjeve të rreme të fakteve e me qellim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për personin tjetër, i dyshuari B.SH. e ka vënë në lajthim personin duke e nxitë që të kryejë një veprim në dëm të pasurisë në atë mënyrë që përderisa deri me datë 15.04.2016 ishte duke punuar në Komunën e Pejës me kontratë mbi vepër si zyrtar për çështje pronësoro-juridike, ka përpiluar vendimin kinse të aprovuar nga Bordi i Drejtoreve të KK-së në Pejë, e pastaj ia ka dërguar për nënshkrim Kryetarit te Komunës së Pejës, të cilin e vë në lajthim.

“Kryetari pa e kontrolluar, së bashku me disa vendime të tjera, e ka nënshkruar vendimin në fjalë me të cilin vendim një kompanie në Pejë, përveç tjerave, i është njohur e drejta si operator ekonomik kontraktues që sipas kontratës t’i bëhet kompensimi ditor për çdo veturë në shumë prej pesë (5) euro, e mbi bazën e të cilit vendim, operatori ekonomik në fjalë, ka parashtruar kërkesë për ekzekutim, duke tentuar kështu që të dëmtuarës Komuna e Pejës t’i shkaktojë dëm material në shumën totale prej katërqind e katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e tetë (414.988,oo) euro, por që ky vendim nuk është ekzekutuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Me këto veprime, Gjykata thotë se i pandehuri B.SH ka kryer veprën penale “mashtrim i mbetur në tentativë”.

Ndaj të pandehurit, Gjykata ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy vitesh të cilin dënim i pandehuri nuk do ta vuajë nëse në kohëzgjatje prej një viti nuk kryen vepër të re penale.

“I pandehuri u detyrua që gjykatës në emër të paushallit gjyqësor t’ia paguajë shumën prej dyzet (40) euro ndërsa, në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej pesëdhjetë (50) euro”, ka theksuar Gjykata.

Gjykata potencon se te dëmtuarit, që në këtë rast janë Komuna e Pejës, gjegjësisht kryetari Gazmend Muhaxheri dhe personi tjetër me iniciale J.A, për realizimin e kërkesës pasurore juridike, duhet të udhëzohen në kontest civil.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.