Akuzat për sulmin e përgjakshëm ndaj zyrtarit të PDK-së, reagon nënkryetari i VV-së në Ferizaj

Nënkryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, Enver Haliti, ka thënë se LVV nuk ka asnjë informatë rreth sulmit ndaj anëtarit të PDK-së, Jakup Sabedinit, në një reagim ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, e cila pretendoi se sulmin ndaj zyrtarit të saj e kanë kryer aktivistët e partisë së Albin Kurtit.

Haliti, në një deklarim për Indeksonline, deklaroi se nuk i beson pretendimet e Partisë Demokratike të Kosovës se “sulmi është kryer nga aktivistë të Vetëvendosjes”.

Ai i ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të hetojnë dhe zbardhin rastin e sulmit ndaj Jakup Sabedinit.

“Unë veç sa u njoftova prej portaleve për këtë sulm, sot jemi në ditën e martë, pretendohet se sulmi ka ndodhë në ditën e shtunë, ne s’kemi pas asnjë informatë dhe vetëm është thënë që aktivistë e Vetëvendosjes mirëpo nuk është përmend asnjë emër çka se dyshoj në vërtetësinë e këtij lajmi”, deklaroi ai.

“Ne si qendër e VV-së nuk kemi pas asnjë informatë që ka ndodhë ndonjë sulm i llojit të tillë dhe presim nga organet gjegjëse që ta zbulojnë rastin dhe kushdo që e ka kryer këtë sulm unë besoj se do ta merr dënimin e meritum. Mirëpo ne nuk besojmë në këtë lajm sepse sot jemi në ditën e martë dhe kanë kaluar katër ditë prej se ka ndodhë ky rast sipas këtyre portaleve dhe deri më sot nuk ka pas asnjë reagim”. /Insajderi.com