Mogherini dhe liderët e Ballkanit: Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE mbetet qëllimi kyç

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian Frederica Mogherini dhe liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë pajtuar në darkën e punës të organizuar në Bruksel se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE mbetet qëllimi kyç strategjik i BE dhe rajonit, ka kumtuar BE.

Mogherini dhe liderët e Ballkanit: Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE mbetet qëllimi kyç

Në kumtesë pas takimit është pretenduar se Mogherini dhe liderët e Ballkanit Perëndimor kanë shkëmbyer pikëpamjet mbi marrëdhëniet e BE dhe Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimin e ngjarjeve në rajon.

“Ata kanë shprehur keqardhje për shkak të vendimit të Këshillit të Evropës të mos hapë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe janë pajtuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE mbetet qëllimi kyç strategjik, në interes të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe rajonit”, shtohet në kumtesë.

Në këtë kontest përfaqësuesja e lartë dhe liderët e Ballkanit Perëndimor kanë biseduar për atë se çfarë është bërë  dhe çfarë është arritur në pesë vjetët e fundit dhe kanë shqyrtuar sfidat e përbashkëta të cilat i kanë para vetes.

“Partnerët e Ballkanit Perëndimor përsëri kanë konfirmuar përkushtimin e fortë ndaj perspektivës së tyre për anëtarësim në BE, reformat të cilat janë, para se gjithash, për të mirën e qytetarëve të tyre, si dhe bashkëpunim rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore”, përfundohet në kumtesë.

Mogherini mbrëmë ishte nikoqire e liderëve të Ballkanit Perëndimor në një darkë pune në Bruksel. Në darkë kanë marrë pjesë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe tre anëtarë të kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës Zhelko Komshiq, Shefik Xhaferoviq dhe Millorad Dodik./Insajderi.com.