
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se sot paradite, asamblisti i Partisë Demokratike në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Getoar Besimi, e ka sulmuar zyrtarin e Zyrës së Prokurimit të Komunës, Nezir Rexhepin.
Haskuka, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se kompania e cila është në pronësi të familjes së Getoar Besimit, është në konkurrencë për të përfituar projekte nga Komuna e Prizrenit.
“Sot paradite zyrtari komunal nga Zyra e Prokurimit, Nezir Rexhepi, është sulmuar fizikisht nga kuvendari i PDK-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Getoar Besimi”, ka thënë Haskuka.
Ai ka thënë se sulmi është tentim për të ndikuar në punën e Zyrës së Prokurimit të Komunës së Prizrenit.
“Ky sulm është tentim për të ndikuar drejtpërsëdrejti në punën dhe procedurat e Zyrës së Prokurimit, pasi që kompania e cila është në pronësi të familjarëve të Getoar Besimit është në konkurrencë për të përfituar projekte komunale, për të cilat tashmë janë hapur procedurat e prokurimit”, ka thënë Haskuka.
Ai ka thënë se rasti i sulmit është paraqitur në Polici. /Insajderi.com