Azem Vllasi: Serbia nuk e pranon kurrë këtë ide të Shqipërisë për Kosovën

Azem Vllasi: Serbia nuk e pranon kurrë këtë ide të Shqipërisë për Kosovën

Shteti i Shqipërisë mund të luajë rol konsultativ në dialogun Kosovë – Serbi, por jo edhe duke u përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi në të. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët theksojnë se draftimi i një platforme të përbashkët mes Shqipërisë e Kosovës për dialogun me Serbinë sa është i pamundur, është edhe i pavolitshëm për Kosovën.

Njohësi i rrethanave politike në Kosovë, Azem Vllasi, duke folur për “Zërin” është shprehur se në rast të përpilimit të një platforme të përbashkët Kosovë – Serbi ajo nuk do të ishte e pranueshme për Serbinë.

“As për Serbinë nuk do të ishte e pranueshme një platformë e tillë, sepse ne do ta sillnim veten në një pozitë të pavolitshme, me të cilën do të mundë të luante Serbia. Ajo do të mundë të ironizonte para ndërkombëtarëve se kundër vetes i ka dy shtete në dialogun me Kosovën ose edhe të pohonte se nuk është duke biseduar me Kosovën, por me Shqipërinë për Kosovën. Prandaj nuk duhet të lejohen situata të tilla, me të cilat Serbia mund të luajë”, ka thënë Vllasi.

Sipas tij, Kosova mund të konsultohet me Shqipërinë për çështjen e dialogut, por jo edhe të hartojë një platformë të përbashkët, sepse, siç thotë ai, dialogu është çështje mes Kosovës e Serbisë dhe jo mes Kosovës, Serbisë e Shqipërisë.

“Me Shqipërinë Qeveria e Kosovës duhet të bashkëpunojë ngushtë për shumë çështje, pra edhe konsultime lidhur me dialogun, për programe e platforma të përbashkëta nuk ka nevojë, bashkëpunimi për këtë çështje është i nevojshëm, por jo edhe zyrtarisht për shkak që ne jemi shtet dhe Kosova po dialogon me Serbinë për rregullimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë e jo mes Kosovës, Shqipërisë e Serbisë”, ka deklaruar ai.