A i kërkoi Kosova EULEX-it të përfshihet në autopsinë e trupit të Astrit Deharit?

A i kërkoi Kosova EULEX-it të përfshihet në autopsinë e trupit të Astrit Deharit?

Shteti i Kosovës nuk kishte kërkuar nga misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX që t’i ndihmojë në zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit tre vite më parë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Kështu kanë deklaruar për Gazetën Express nga EULEX-i, derisa shtojnë se roli i tyre kishte qenë vetëm vëzhgues pasi që nuk iu ishte kërkuar që të kontribuojnë në raport apo të përgatisin një të ri.

Dy ditë pasi që në Qendrën e Paraburgimit në Prizren kishte vdekur në rrethana të dyshimta, aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ishte kryer edhe autopsia për të ndjerin.

Tre mjekë kishin përbërë komisionin mjeko-ligjorë të IML-së (Flamur Blakaj, Naim Haliti e Musa Gashi), derisa familja kishte angazhuar edhe dy ekspertë të pavarur (Besim Ymaj e Besim Latifaj). Të pranishëm kishin qenë edhe atëherë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha si dhe një përfaqësues i EULEX-it.

Atë ditë kishin dalë dy raporte që flisnin për rrethana krejt të ndryshme se si kishte ndërruar jetë Astrit Dehari. Komisioni i mjekëve ligjorë të IML-së thoshte se Dehari kishte vdekur si pasojë e asfiksisë mekanike, derisa, ekspertët e pavarur deklaronin se i njëjti kishte vdekur si pasojë e asfiksisë së dhunshme.

Mirëpo, një raport i tillë nuk kishte dalë nga eksperti të cilin e kishin dërguar Misioni i Bashkimit Evropian për Rend dhe Ligj në Kosovë, EULEX. Pavarësisht se një ekspert i tyre kishte qenë i pranishëm gjatë kryerjes së autopsisë, i njëjti nuk kishte kontribuar apo shkruar raport për rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit.

Nga Zyra për media e EULEX-it kanë konfirmuar për Gazetën Express se një pjesëtar i tyre kishte qenë i pranishëm gjatë autopsisë së Astrit Deharit, mirëpo, shtojnë se roli i tyre kishte qenë vetëm vëzhgues.

“Një pjesëtar i EULEX-it ka qenë i pranishëm gjatë autopsisë së Astrit Deharit. Mirëpo, ky pjesëtar i EULEX-it vetëm e ka vëzhguar këtë proces”, kanë bërë të ditur nga EULEX-i.

Ky pjesëtar i EULEX-it, madje është informuar lidhur me gjetjet nga mjeku ligjor kosovar, thuhet tutje në përgjigje.

“Këtë pjesëtar të EULEX-it mjeku ligjor kosovar e ka informuar lidhur me gjetjet”, bëhet e ditur.

Nga zyra për media e EULEX-it kanë bërë të ditur për Express se autoritetet e Kosovës nuk u kanë kërkuar që të kontribuojnë në raportin e autopsisë për Deharin, apo të përgatisin një raport të ri.

“EULEX-it nuk i ishte kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të kontribuojë në raportin e autopsisë së Astrit Deharit të përgatitur nga ekspertët kosovarë apo që ta përgatisë ndonjë raport”, bëhet e ditur në përgjigjet e EULEX-it për Express.

Pas kryerjes së autopsisë nga EULEX-i kishin deklaruar se gjatë monitorimit të këtij rasti, besojnë se hetimet dhe autopsia janë kryer në mënyrë të saktë, profesionale dhe me kujdes, derisa Vetëvendosje pati kundërshtuar duke thënë se ky mision nuk mund të sigurojë hetime të pavarura sepse nuk e ka kredibilitetin minimal për të qenë i përfshirë në një rast të tillë.

Nuk është bërë e ditur se pse Ministria e Drejtësisë kishte kërkuar nga EULEX-i që të kenë vetëm rol vëzhgues e të mos dorëzojnë gjetjet e tyre për këtë raport, apo të kontribuojnë në të atë që është hartuar.

Megjithatë, rasti Dehari konsiderohet si një nga vdekjet më enigmatike të viteve të fundit. Familja asnjëherë nuk ishte pajtuar se djali i tyre mund të kishte vrarë veten siç konstatonte raporti i parë i kryer në vend.

Për këtë çështje, një ekspertizë e re ishte dorëzuar për tu kryer në institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë, e cila e kontestoi përfundimin e autoritetve se Dehari ka kryer vetëvrasje duke kërkuar edhe hetime të reja për këtë rast.