Bashkimi Evropian do t’i kërkojë Kosovës që në dy vitet e ardhshme, t’i raportojë për personat e kthyer nga Siria, si dhe për procesin e rehabilitimit të tyre" />

BE-ja do t’i kërkojë Kosovës që t’i raportojë për personat e kthyer nga Siria

BE-ja do t’i kërkojë Kosovës që t’i raportojë për personat e kthyer nga Siria

Bashkimi Evropian do t’i kërkojë Kosovës që në dy vitet e ardhshme, t’i raportojë për personat e kthyer nga Siria, si dhe për procesin e rehabilitimit të tyre.
Përmes një marrëveshje, të nënshkruar të mërkurën mes Kosovës dhe BE-së, Brukseli obligon autoritetet e Prishtinës që të adresojnë sfidat e paraqitura nga kthimi i luftëtarëve të huaj dhe anëtarëve të familjeve të tyre, që përfshin hetimet dhe ndjekjet penale të veprave të kryera nga luftëtarët e huaj, deri te procesi i rehabilitimit të tyre.
Sipas marrëveshjes, Kosova duhet të shkëmbejë informacione me shtetet anëtarë të BE-së për luftëtarët e huaj që kthehen në Kosovë.
Po ashtu, marrëveshja parasheh që të bëhen analiza të vlerësimit të kërcënimit nga terrorizmi në Kosovë dhe koordinim më i mirë i mekanizmave për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, si dhe ndërtimin e kapaciteteve për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
Këto objektiva janë pjesë e Planit të Përbashkët të Veprimit Kundër Terrorizmit për Ballkanin Perëndimor, që u nënshkrua nga Ministrat e Brendshëm të Ballkanit Perëndimor më 5 tetor 2018 në Tiranë.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Ekrem Mustafa dhe Komisioneri i Bashkimit Evropian për Migrim, Dimitris Avramopoulos.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, përmes një komunikate ka thënë se “Kosova si anëtare e Koalicionit Global kundër grupit militant Shteti Islamik, është treguar partnere e besueshme e Bashkimit Evropian në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”.