Isa Mustafa del vet i gjashti në konferencë për shtyp, flet për koalicionin me Vetëvendosjen

Isa Mustafa del vet i gjashti në konferencë për shtyp, flet për koalicionin me Vetëvendosjen

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka paralajmëruar takime të nivelit të lartë ndërmjet partisë së tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në një konferencë për shtyp të premtën ku u paraqit para mediave së bashku me pesë zyrtarë të tjerë të LDK-së.

Ndonëse ka thënë se ka pajtueshmëri ndërmjet LDK-së dhe LVV-së për koalicionin e ardhshëm qeverisës, Mustafa ka deklaruar se ka edhe dallime në disa çështje. Ka thënë se dallimet janë të vogla.

“Janë disa çështje të ekonomisë që kanë të bëjnë me çështjen e shfrytëzimit të mjeteve nga privatizimi dhe nga çështjet e tjera. Ka dallime tek çështja e taksave dhe tatimeve, po ashtu edhe tek çështjet sociale ka pak dallime”, ka thënë Mustafa.

Ai ka deklaruar se LDK ka hequr dorë nga pozita e kryeministrit pas certifikimit të rezultatit zgjedhor.

“Nuk do ta pranojmë që kryeministrin ta ketë partia e cila nuk del e para dhe ne do t’i përmbahemi këtij parimi. Për këto do të flasim në takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje bashkë me kandidaten për kryeministre dhe nënkryetarët e të dy partive”, është shprehur kreu i LDK-së.

Sa i përket ndarjes së ministrive dhe pozitave të tjera ekzekutive, shefi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se “do të diskutohen gjatë ditëve të ardhshme”.

“Nuk jemi në fazën kur mund të flasim për ndarjen e ministrive në këtë fazë, sepse këtë gjë ne duhet ta diskutojmë me partnerin tjetër”, ka deklaruar ai.

Në konferencë për shtyp, pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, dolën edhe nënkryetarët Lutfi Haziri dhe Agim Veliu, si dhe Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku dhe Avdullah Hoti. /Insajderi.com