Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e ka shfrytëzuar rastin që para të rinjve të LDK-së, t’i bindë ata se opozita është ajo që po e pengon përspektivën e saj drejt Evropës.
Gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Forumit Rinor të LDK-së, Mustafa ka thënë se kauza e rrejshme e opozitës po e pengon zhvillimin e vendit.
Por shefi i LDK-së, nuk la pa akuzuar edhe deputetët e LDK-së që e përkrahën kauzën e opozitës, nën pretendimet se Kosova po humbë territor.
“I pyes ata që krijuan një kauzë të rrejshme se Kosova po humb territor, bashkë edhe me disa njerëz të LDK-së që u bën shërbëtor, prandaj është mirë që edhe ju t’i pyetni deputetët që janë në degët e juaja se pse ata kanë shkelur besimin e dhënë nga ju”, ka thënë Mustafa.
“Unë i pyes disa deputetë kundërshtues se me çfarë të drejte iu mbajnë juve të izoluar, me çfarë të drejte iu detyrojnë të prisni edhe me nga 6 muaj para dyerve të ambasadave të huaja për ta marrë një vizë, i pyes së bashku me ju me çfarë të drejte ua rrezikojnë jetën qytetarëve tonë që të shërohen jashtë vendit për shkak se nuk gjejnë shërim në vendin tonë”, ka shtuar ai.
“Me çfarë logjike ua privojnë lirinë që të shkolloheni jashtë dhe bizneset që të qarkullojnë lirshëm në vendet evropiane, u ka thënë të rinjve kryeministri i vendit.