Katër personat që dyshohet se u plagosën nga Astrit Mehmeti

Katër personat që dyshohet se u plagosën nga Astrit Mehmeti
Burimi i fotografisë: Astrit Mehmeti

Mentor Bogujevci, Arben Jashari, Kujtim Gashi dhe Arsim Shala janë katër personat të cilën janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare, pasi u plagosën gjatë mesnatës të së premtes në Prishtinë.

Siç mëson Gazeta Insajderi, Astrit Mehmeti, i njohur me nofkën “Llepota”, ka hapur zjarr ndaj katër rojeve të sigurimit të klubit të natës që ndodhet në qendër të Prishtinës, teksa ka qenë i shoqëruar nga Kushtrim Krasniqi dhe Andi Pajaziti.

Të dy shoqëruesit e tij, po ashtu, kanë qenë të armatosur.

Siç dëshmon një video ekskluzive e siguruar nga Insajderi, grupi i Astrit Mehmetit dhe rojet e sigurimit të “Duplex” janë gjuajtur me armë zjarri në hyrje të klubit të natës. Brenda disa sekondave janë dëgjuar të krisura armësh, të cilat kanë krijuar panikë tek qytetarët e pranishëm.

Përleshjen me armë mes dy grupeve e ka konfirmuar sot edhe Policia e Kosovës. Në një përgjigje për Insajderin, zyrtari i Policisë për Informim, Bajram Krasniqi, ka bërë të ditur se katër persona kanë mbetur të lënduar nga gjuajtjet me armë.

“Më 09.11.2019, rreth orës 02:00, policia është njoftuar për një përleshje mes dy grupeve në rrugën ‘Rinia’. Në këtë përleshje kanë mbetur të lënduar katër persona që janë dërguar për trajtim mjekësor”, ka thënë Krasniqi.

Policia nuk ka njoftuar për të arrestuar lidhur me rastin.