Edhe një ftesë nga Gjykata Speciale – Kësaj radhe në cilësinë e të dyshuarit

Edhe një ftesë nga Gjykata Speciale – Kësaj radhe në cilësinë e të dyshuarit

Doktori Fitim Selimi nga Lipjani ka bërë të ditur se sot ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale.

Ai ka njoftuar se është ftuar në cilësinë e të dyshuarit për veprimtarinë e tij në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sot mora ftesë nga zyra e Prokurorit Special, për tu paraqitur në këtë organ në cilësinë e të dyshuarit për veprimtarinë time në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndonëse përherë e gjallë, sot më fuqishëm më është rikthyer ndjenja e krenarisë për këtë periudhë më të ndritshme të jetës time.

Fare mos të dyshojë askush dhe i siguroj Unë të gjithë ata që duan të dijnë, që në rrethanat e mospërmbushjes dhe mosrealizimit të popullit e vendit tim me të drejta e liri, me kushtrimin për luftën për çlirim, angazhimi dhe veprimi im me shokët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte kulmi i realizimit të identitetit tim personal, familjar e kombëtar dhe veprimi im më i ndërgjegjshëm të cilit nuk do t’i ndryshoja asnjëherë asnjë moment dhe asnjë detal.

Me besim e bindje të plotë në triumfin e së vërtetës së lavdishme për luftën tonë të drejtë”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook./ Insajderi.com