Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbrojtur deklaratën e kryeministrit Isa Mustafa, kur “futi në një thes” drejtorin e të shtuquajturës Zyrë Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq dhe shefin e deputetëve të AAK-së, Pal Lekaj, duke i quajtur “rrugaçë”.
Përveç kësaj, LDK shkon edhe më tej, duke e përfshirë në këtë “thes” edhe Lëvizjen Vetëvendosje.
LDK, përmes një njoftimi të postuar në Facebook, ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Vetëvendosje dhe Gjuriq kanë lidhur një “aleancë rrugaçësh”.
“Natën e sotme në ekranet televizive e nëpër portale na u shfaqën tre përfaqësues “të denjë” të politikës së rrugës. I pari foli Marko Gjuriq, i cili bëri një kërcënim të radhës, të cilin përveç disa ordinerëve në Prishtinë nuk e merr seriozisht askush. U gëzua shumë Pal Lekaj, imituesi komik i Donika Kadaj Bujupit, njeriu i cili mbahet mend vetëm për shkatërrimin e Çarshisë së Vjetër në Gjakovë. Për t’i vënë kapakun nuk kishte si të mungonte ordineri i molotovëve, Dardan Molliqaj”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Sipas LDK-së, kjo “aleancë” ka për qëllim luftën kundër shtetit të Kosovës.
“Andaj, sot erdhi në shprehje “aleanca e rrugaçëve” të cilët i bashkon lufta kundër shtetit të Kosovës (Pali e bën nga injoranca), përmes formulës: Beogradi jep një deklaratë, Pali del e i bën jehonë dhe ordineri Molliqaj kërcënon në llogari të saj”, thuhet në njoftimin e LDK.
Pal Lekaj ka akuzuar sot kryeministrin e Kosovës se është i pafuqishëm ndaj kërkesave të drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë Serbe, Marko Gjuriq, për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së e ka quajtur “pulë deti” kryeministrin Mustafa në raport me serbët. Sipas Lekajt, “Kosova nuk do të bëhet asnjëherë shtet i pavarur nën drejtimin e Isa Mustafës.”
Ndërkaq, polemikat i ndezi edhe më shumë kryeministri i Kosovës, i cili tha se “Pal Lekaj dhe Marko Gjuriq janë në të njëjtin nivel”. /Insajderi.com