Don Kishoti në rroba të Jezu Krishtit

Shkruan: Kujtim Robelli

Don Kishoti në rroba të Jezu Krishtit

Më 11 nëntor para 198 viteve u lind Fjodor Michailowitsch Dostojewski, një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të njerëzimit. Në romanet e tij, që janë të përkthyera në më shumë se 170 gjuhë, ai trajton intensionet, shtyerjet dhe dilemat e shpirtit njerëzor.

Në vitet 1848 dhe 1849 Dostojewski filloi së shkruari romanin Njetotschka Neswanowa, kapitullin e parë të së cilit e publikoi në një gazetë të Petersburg-ut. Romani mbeti pa u përfunduar meqë Dostojewski në vitin 1849 u arrestua për pjesëmarrje në përpjekje revolucionare ndaj Carit dhe u dënua me ekzil në Sibiri. Edhe pas lirimit ai nuk e vazhdoi punën në këtë roman.

Në romanin Njetotschka Neswanowa ai shkruan për një violinist të bekuar me gjenialitet, muzikaliteti magjik i të cilit i fascinon njerëzit, por ky i fundit, përplotë dëshirë dhe i varur pas famës, e çon dëm talentin e tij dhe bie poshtë e më poshtë në prehrin e alkoolit. Fajin për gjithë këtë ai i´a le bashkëshortes së tij, aq më larg përbetohet që nuk do të prekë më violinë me dorë para se ajo të ketë vdekur. Në mbrëmjen kur bashkëshortja i vdiç, ai kishte shkuar në një koncert të një violinisti virtuoz dhe pasi që u kthye në shtëpi filloi t´i bie violinës, i tronditur kuptoi që nuk është ai që mendonte që kishte qenë.

Një artist, shkruante Dostojewski, pushon së qenuri artist, menjëherë kur motivin për t’i shërbyer artit e ndërron me nxitjen për famë e para.

Ngjashëm mund të trajtojmë edhe punën e politikanit, meqë Arti dhe Politika për nga natyra janë kategori metafizike me korniza absolute, të vlefshme pavarësisht kohës dhe frymës.

Paraprakisht duhet të kuptojmë termin Politikë ashtu siç është kuptuar qysh në antikitet. Politika at´herë nënkuptonte trajtimin e çështjeve dhe pyetjeve që i përkisnin të përgjithshmes apo komunitetit. Përkatësisht fjala politiká nga greqishtja e vjetër përkthehet: “Gjëra që i përkasin qytetit”. Rrjedhimisht politikani për detyrë nuk e ka trajtimin e vetvetës, por atë të së përgjithshmes e motivi i tij nuk është mirëqenia personale, por ajo e përgjithshme.

Prandaj, politikani pushon së qenuri politikan, menjëherë kur motivin për t’i shërbyer politikës e ndërron me nxitjen për të dëshmuar vetën dhe për pushtet – e vetëm për pushtet.

Në të dy rastet, atij të artistit dhe atij të politikanit, kemi një largim nga arsyeja teleologjike e ekzistencës së tyre. Ky largim nga kornizat e kategorive përkatëse rezulton në materializimin e natyrës së tyre metafizike, duke i shndërruar ato në profesione të thjeshta e si të tilla në mjete për t´i arritur qëllimet personale si famën e pushtetin. Dhe kështu përfundojmë tek përceptimi makiavelist për politikën, që më së miri përmblidhet me një citat të vetë Makiavelit: “Politika është shuma e mjeteve të nevojshme për të ardhur në pushtet, për të qëndruar në pushtet dhe për të shfrytëzuar sa më shumë pushtetin.”

Materializimi i metafizikës pas vetes ngreh edhe shfuqizimin e sistemeve e koncepteve, siç janë etika e morali dhe u´a lehtëson materializuesve, si në rastin e politikanit, të bëjnë çmos për t´i arritur qëllimet e tyre. Ata kurrë nuk u’a tregojnë të vërtetën popullit, por e shtrembërojnë realitetin sipas nevojës për të përfituar vetë. Ata bëhen mishërim i oportunizmit duke i ndërruar qëndrimet – nëse mund t´i quajmë ashtu, meqë ato më shumë i ngjajnë lëvizjeve – sa herë që ajo u sjellë favore. Ata popullit i premtojnë të parealizueshmen e njerëzve i thonë që do t´i lëvizin këmbët sipas ëndrrave të tyre, duke shkelur në të njejtën kohë mbi dinjitetin e tyre.

Dhe nuk ka si të jetë e të përfundojë ndryshe: populli i vuajtur e i lodhur nga rrethanat dhe kushtet e viteve të kaluara, nga monotonia shumëvjeçare në skenën udhëheqëse, kërkon ngushëllim e ndryshim pikërisht tek ata që nuk hezitojnë t´ua premtojnë vetë parajsën. Pikërisht tek ata që janë në gjendje të harrojnë të kaluarën e tyre, kur u angazhuan për të nxjerrë nga gjumi popullin, e që qenë në gjendje për t´u bërë opium i popullit. Pikërisht e përfundimisht tek ata që ishin në gjendje ta ndërrojnë motivin fillestar për t’i shërbyer politikës, me nxitjen për të dëshmuar veten e për të ardhur në pushtet, duke u bërë Don Kishota në rroba të Jezu Krishtit.