Përfundon takimi dy orësh Mustafa-Kurti – tregojnë kur do të arrijnë marrëveshjen

Përfundon takimi dy orësh Mustafa-Kurti – tregojnë kur do të arrijnë marrëveshjen

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës brenda disa ditëve do të përmbyllin marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës.

Krerët e këtyre dy partive pas takimit rreth dy orësh në ambientet e Kuvendit të Kosovës thanë se doemos kjo marrëveshje do të përmbyllet, por nuk dhanë ndonjë detaje për ndarjen e përgjegjësive në institucione.

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se takimi ishte konstruktiv dhe se nesër do të jetë takimi i radhës për t’i përmbyllur edhe disa çështje.

Ai shprehu besimin se me LDK-në do të arrijnë marrëveshjen për qeverisën e re të vendit.

Edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se takimi ka qenë shumë i frytshëm, teksa i uroi fitoren Kurtit.

“Harmonizimi i programit po thuajse është përfunduar edhe nesër presim që të vazhdojnë takimet për të përcaktuar përgjegjësitë tona”, tha ai./ Insajderi.com