Vendimet e Qeverisë në detyrë, nën llupën e koalicionit të ardhshëm

Vendimet e Qeverisë në detyrë, nën llupën e koalicionit të ardhshëm

Që nga dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, më 19 korrik të këtij viti, e deri më tash, Qeveria e Kosovës në detyrë ka marrë një varg vendimesh, të cilat nga dy partitë që kanë fituar numrin më të madh të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit – Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës – dhe që pretendojnë të formojnë qeverinë e ardhshme, por edhe nga shoqëria civile dhe njohës të zhvillimeve politike, po konsiderohen si të paligjshme.

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, lideri i së cilës, Albin Kurti, është pretendenti kryesor për postin e kryeministrit të vendit, kanë thënë se vendimet e tilla do të rishqyrtohen nga qeveria e ardhshme.

Arbërie Nagavci, anëtare e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se një varg vendimesh të qeverisë në detyrë, përveç se konsiderohen të jashtëligjshme, kanë qenë të dukshme që kanë pasur ndikime partiake dhe të grupeve të ngushta të interesit.

“Në këtë drejtim, të gjitha vendimet që janë marrë në këtë kohë, që nga dorëheqja e qeverisë së Haradinajt, do të shqyrtohen një për një, secila prej atyre dhe në secilin rast ku pretendohet se ka pasur qoftë shkelje të ligjshmërisë, qoftë që vendimet janë marrë pa një bazë të arsyeshme ligjore dhe janë të panevojshme. Ato do të rishikohen”, tha Nagavci për Radion Evropa e Lirë.

Ajo shton se tashmë Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë thirrje qeverisë në detyrë, por edhe zyrtarëve civilë, që të përmbahen nga marrja e vendimeve, të cilat do të shqyrtohen dhe që në shumë raste konsiderohen që janë të ndikuara. Sipas saj, ato vendime do të kontestohen dhe në rast se vërtetohet që ka pasur shkelje të ligjshmërisë, personat që kanë marrë ato vendime do të thirren në përgjegjësi.