Qyteti 3 mijë vjeçar, i cili është ringritur disa herë pas tërmeteve shkatërruese, është goditur sërish rëndë prej lëkundjeve sizmike që vijojnë prej 3 ditësh dhe që kanë detyruar mjaft qytetarë të largohen prej tij.
Adi, një taksist në qytet duket i prerë në fytyrë dhe i lodhur, ndërsa tregon se nuk po i pushon celulari. “Duan të ikin të gjithë. Kam çuar njerëz në Elbasan, Peqin. Nuk pushojnë duke ikur drejt aeroportit. Gati sa nuk hidhen përpara makinës njerëzit në rrugë, duan t’i dërgoj diku”, tregon me zë të ulët.
Rrugët e qytetit duken të zbrazëta. Kafenetë janë mbyllur dhe shumica e dyqaneve kanë ulur qepenat. Qytetarë të shumtë lënë banesat me valixhe në duar. Mbi tavanët e makinave dallon trasta dhe valixhe të vendosura deng.
Autoritetet janë përpjekur të qetësojnë banorët. Artur Lekbello shefi i Emergjencave Civile në Qarkun Durrës, sqaroi se edhe pse ishte shpallur gjendja e emergjencës nuk ka një situatë evakuimi të qytetarëve. Ai tha se ata që kishin mbetur pa strehë pas dëmtimit të banesave ishin dërguar në hotele apo në palestra.
“Në hotelet e qytetit (deri mbrëmjen e të enjtes) janë akomoduar 300 persona dhe vijon puna për transferimin e të tjerë qytetarëve”, tha Lekbello.
Por dhjetra qytarë janë larguar drejt Kosovës dhe disa qindra në qytetet e tjera të vendit. Numri total i të pastrehëve është i paqartë. Mëngjesin e të premtes numri i viktimave shkoi në 49, ndërsa ekipet e emergjencës nga Serbia dhe Mali i Zi vijonin kërkimet në rrënojat e hotel Mira Mare për një person që mendohet se ndodhet ende aty. Lekbello i tha BIRN se ishin ndërkohë 750 të plagosur.
Përcillen viktimat e para
Megjithatë shumë banorët e Durrësit janë ende në ankth prej lëkundjeve që vijojnë të shkundin qytetin. “E kemi përjetuar shumë keq. Në spital kam mamin, motrën dhe gjyshen. I kam të dyja në spital vetëm nga frikësimi dhe plagët. Më shumë qanin, po shyqyr që nuk patëm dëme në viktima”, tregon Klodian Hyka.
Ai banon në lagjen numër 13 të Durrësit, në Plazh. Apartamenti i tij u dëmtua dhe pranë tij një hotel disakatësh u shemb.
Ndërkohë Bektash Shahini ka ardhur nga Italia për të parë shtëpinë e blerë pak vite më parë, por ai nuk ndjehet aspak optimist. Shtëpia e tij në zonën e Plazhit është dëmtuar shumë rëndë dhe ai ende nuk di se kujt t’i drejtohet: “Kam ardhur enkas nga Italia dhe nuk kam asnjë lloj informacioni. Nuk e di se ku të hyj dhe ku të dal”- thotë i pezmatuar Bektashi. “Unë dua që të vijnë ekspertët dhe ta shikojnë; të nxjerr mallin apo mos ta marr, si t’ia bëj”, tregon ai. Ai thotë se e ka blerë apartamentin për 70 mijë euro.
Humbjet materiale janë ende të pallogaritshme. Ajo që dihet janë humbjet në jetë njerëzish. Qindra qytetarë të Durrësit dolën të përcillnin për në banesën e fundit katër anëtarë të familjes Reçi.
Në sheshin “Liria” të Durrësit, ku flamurët e Ditës së Pavarësisë sikur qëndrojnë në gjysëm shtizë, bashkëqytetarët e familjes Reçi, e cila u shua e gjitha nën rrënoja, i kanë lënë mënjanë hallet personale për tu bashkuar në hidhërimin e pamatë të të afërmëve të katër viktimave.
“Kristi sot me siguri do të ishte në spitalin e Durrësit, duke u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, siç bënte gjithmonë vullnetarisht”, tregon Tristani, një mik i familjes Reçi. Mes lotësh ai tregon për studenten e vitit të fundit të degës së Mjeksisë, e cila humbi jetën tragjikisht, së bashku me nënën Dolorën, të atin Eduardin dhe të vëllanë, Klausin, 21-vjeçar.
Lëkundjet shoqërojnë përpjekjet për shpëtim
Ndërsa lëkundjet vijojnë me magnitudë më të ulat, Forcat Speciale Renea, FNSH-ja e Tiranës, Shkodrës dhe e Fierit, forcat e ushtrisë, zjarrfikëset, emergjencat civile dhe ekipet e shpëtimit të ardhura nga shumë vende të rajonit dhe Evropës, si dhe policia lokale e Durrësit dhe Krujës vijuan operacionet e kërkim-shpëtimit, deri në orët e vona të së enjtes kur prej rrënojave u nxorën edhe viktimat e fundit.
Shumë shqiptarë të Kosovës po ashtu janë të pranishëm me ndihma dhe në kërkim të trupave nën rrënojat e pallateve në zonën e plazhit. Zjarrfikësit e Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, të Korporatës Energjetike të Kosovës Sh. a. (KEK) po punojnë në periferi në të njejtën zonë ku më së shumti qëndruan në ditët e rënda të eksodit të fillimvitit 1999.
“Kemi ardhur nga Kosova me dy automjete, të pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme. Tërmeti është i pa parashikueshëm dhe ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë për kërkimin e personave nën rrënoja apo evakuimin e qytetarëve”, u shpreh për BIRN, Milazim Plakaj, menaxher i Departamentit të Sigurisë Industriale dhe Mbrojtjes nga Zjarri, KEK.
Zyrtarët lokalë thonë se kanë bërë po ashtu të gjithë përpjekjet për të strehuar banorët. “Jemi munduar të akomodojmë të gjithë qytetarët që kanë ardhur. Kemi parasysh që nuk është vetëm qyteti, por edhe njësitë administrative, në të cilat janë instaluar çadra. Nuk e mendonim që të kishte një sensibilizim kaq të madh. Përpos shoqatave humanitare kanë ardhur ndihma edhe nga Rumania, Turqia, Italia, Kroacia, Maqedonia, Mali i zi, kanë qenë të pranishëm këtu, qoftë edhe me specialistë që kërkojnë njerëz në rrënoja”, tha për BIRN Etleva Kondi, nënkryetare e bashkisë Durrës.
Por ndërsa mjaft qytetarë janë larguar drejt qyteteve të tjera për të shmangur ankthin, shumë banorë kanë refuzuar të largohen nga shtëpitë gjysmë të shembura në zonën e ish-Kënetës e gjetkë. Dhjetra prej tyre flenë në makina jashtë shtëpive me shpresë se mund t’i ruajnë prej grabitjeve.
Durrësi një histori ringritjesh
Si për të kujtuar shkakun e vdekjes një shkundje tërmeti nxjerr nga lokalet pranë një grup njerëzish. Përsëri tërmet, 4.9 ballë siç thotë një nga të rinjtë që sheh të dhënat në kohë reale në telefon.
Durrësi duket sikur po përjeton ditët më të rënda të historisë së tij. Por nuk është e para herë; qyteti 3-mijëvjeçar është rrënuar disa herë nga tërmetet shkatërrimtare dhe përsëri është ringritur.
Jo shumë larg nga vendi ku bëhen homazhet, pjesët e murit murit bizantin që u shembën mëngjesin e së martës e kanë parë qytetin të gjunjëzohet para pushtimesh dramatike dhe lëkundjesh tragjike edhe në vitin 1273, kur për më shumë se 50 vjet qyteti mbeti krejtësisht bosh.
“Katër nga viktimat e atij tërmeti vdjekjeprurës u gjetën vetëm para 10 vjetësh gjatë ekspeditës italo-shqiptare pranë galerive të amfiteatrit antik” – thotë arkeologu Afrim Hoti. Ai shton se skeletet e dy të rriturve dhe dy fëmijëve ndodheshin pranë njeri tjetrit, teksa duket se tentonin të largoheshin nga banesa e tyre për t’i shpëtuar fatkeqësisë.
Vetë muret rrethuese, një pjesë e të cilëve u shembën para 50 orësh janë ndërtuar pas një tjetër tërmeti, edhe më të hershëm, atij të vitit 345, një nga fatkeqsitë e shumta që ka goditur qytetin antik në shekujt e kaluar.
Por qyteti ka mbijetuar përsëri. As pas lëkundjeve të fundit periferia e Durrësit e cila është prekur më shumë nuk është dorëzuar. Nga qendra e qytetit ka qytetarë që vijnë orë e minutë me biçikleta dhe përpiqen të jenë të vlefshëm e të ndihmojnë.