Si për të dëshmuar bashkëpunimin e fuqishëm të këtyre ditëve – Albin Kurti së paku në një fotografi – ka bërë bashkë dy ushtritë atë të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka qëndruar në Durrës dhe Thumanë, ku edhe ka parë nga afër të prekurit pas tërmetit shkatërrues.
“Katastrofa natyrore e ka goditur Shqipërinë, dhe këto ditë nuk kemi mundur të festojmë përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë, as 75-vjetorin e çlirimit të Republikës nga nazi-fashizmi. Tërmetet e forta dinë të gjunjëzojnë çdo shoqëri, janë të paparashikueshëm prej shkencës, e janë veçanërisht vdekjeprurës në vendet e varfra, me infrastrukturë të pazhvilluar, apo në vendet ku ligji e standardet ndërtimore nuk zbatohen siç duhet”, ka thënë Kurti, shkruan Insajderi.
“E megjithatë, Shqipëria që vizituam në mëngjesin e sotmë, edhe pse nuk e fshihte trishtimin e lotët, nuk ishte e gjunjëzuar. Populli i Shqipërisë e ai i Kosovës, si dhe shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi, Luginës e diasporës të gjithë janë bërë bashkë për t’ua lehtësuar dhimbjen familjarëve të atyre që fatkeqësisht kanë humbur jetën prej tërmetit, por edhe atyre qindra personave të lënduar e të traumatizuar, e shumë të tjerëve që janë dëmtuar ekonomikisht, një pjesë e mirë duke mbetur edhe të pastrehë”.
Atje Kurti ka takuar edhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë.
Madje ka thënë se forcimi i dy ushtrive do të duhej të ishte prioritet i qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, shkruan Insajderi.
“Është për t’u përgëzuar angazhimi i tyre i përbashkët, dhe harmonia organizative e disiplina me të cilën ushtria i qaset këtyre rasteve emergjente. Forcimi i ushtrive të Shqipërisë e Kosovës do të duhet të ishte prioritet për qeveritë tona, sepse kjo do të ndihmonte përballimin e situatave të tilla, të cilat fatkeqësisht vijnë edhe papritur”.
Si për të dëshmuar bashkëpunimin e fuqishëm të këtyre ditëve – Kurti së paku në një fotografi – ka bërë bashkë dy ushtritë.
insajderi.com