Inatet personale të politikanëve që s’i lëkundi as tërmeti, Thaçi-Rama vs Haradinaj-Meta

Tërmeti shkatërrues që goditi Shqipërinë në mëngjesin e 26 nëntorit, i bëri bashkë gjithë shqiptarët por jo edhe dyshet politike – Hashim Thaçi-Edi Rama vs Ramush Haradinaj-Ilir Meta.

Inatet personale të politikanëve që s’i lëkundi as tërmeti, Thaçi-Rama vs Haradinaj-Meta

Menjëherë pas lajmit shokues të së martës, Kosova nisi trupat e saj për ndihmë drejt Shqipërisë. Madje pa vonuar shumë drejt vendit të shqipes u nisën edhe ndihma të tjera ushqimore dhe materiale.

Kjo ngjarje e rëndë i bëri bashkë gjithë shqiptarët anë e kënd Ballkanit, por s’i lëkundi inatet personale ndërmjet disa prej politikanëve.

Presidenti Hashim Thaçi ishte ndër të parët që e “ndezi fitilin”, shkruan Insajderi.

Në vend se paraditen e së martes të komunikonte me homologun e tij shqiptar, Ilir Metën, Thaçi vendosi të fliste me mikun e tij, Edi Ramën.

“Sapo fola me kryeministrin Edi Rama, ku u informova për gjendjen pas tërmetit që goditi Shqipërinë. Kryeministrit Rama, në emër të qytetarëve të Kosovës i shpreha ngushëllimet më të sinqerta për viktimat që pësuan nga tërmeti”.

“Kryeministrin Rama e sigurova se Kosova do të jetë në mbështetje dhe përkrah Shqipërisë. Tashmë njësitë përkatëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë nisur drejt zonave të dëmtuara nga tërmeti”, shkruante Thaçi më 26 nëntor, transmeton Insajderi.

Thaçi s’e ndalte avazin. Edhe në komunikimin e datës 28 nëntor, e injoroi homologun Meta.

“Pas bisedës telefonike me kryeministrin Rama, nga sot Kosova dërgon trupa shtesë të Forcës së Sigurisë, të specializuara për sanimin e pasojave dhe konstatimin dhe evidentimin e saktë të shkallës së dëmtimit të ndërtesave në zonat e goditura nga tërmeti”.

Tashmë dihet për afrinë e Hashim Thaçit me Edi Ramën dhe për mendimin e tyre të njejtë sa i përket çështjes së territorit Kosovë-Serbi.

Në anën tjetër dy kundërshtarët e “shkëmbimit të territoreve”, Ramush Haradinaj dhe Ilir Meta ishin “bërë bashkë”.

Haradinaj “injoronte” homologun dhe thumbuesin e tij politik Ramën, ndërsa vazhdonte komunikimin me mikun e tij të verës dhe takime të shpeshta neper male, shkruan Insajderi.

Madje nga Meta ishte pritur edhe sot në Shqipëri.

“Duke bashkëndjerë me çdo emocion këtë tragjedi që mori shumë jetë njerëzish, sot, bashkë më një pjesë të kabinetit qeveritar, i pritur nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, vizitova Durrësin dhe zonat e prekura nga tërmeti për të parë nga afër situatën dhe për t’u dhënë përkrahje të mëtejme, të pandalshme, të gjithë të angazhuarve në përballimin e gjendjes”, shkruante Haradinaj.

Pavarësisht se nën rrënojnë vazhdon të ketë trupa, si pasojë e tërmetit shkatërrues i cili mori edhe 50 jetë, inatet e burrështetasve vazhdojnë të jenë të njëjta./Insajderi.com