Gjatë kësaj jave Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit, por Lëvizja Vetëvendosje si partia më e votuar në vend dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk kanë arritur koalicioni të përbashkët që do qonte në formimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër shoqëria civile po kërkon krijimi sa më shpejt të institucioneve të reja të Kosovës dhe konsolidim të Kuvendit, pasi sipas tyre, moskrijimi i institucioneve po ndikon negativisht në aspektin e integrimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Jeta Krasniqi nga KDI thotë për KosovaPress se çfarëdo lloj vonese në ndërtimin e institucioneve të Kosovës ndikon drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve.
Ajo e sheh si të nevojshëm që sa më parë konsolidimin qeverisë së re, e cila sipas Krasniqit, e rrugës do të ishte të përkushtohej në zbatimin e agjendës evropiane, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.
“Çfarëdo lloj vonese, çoftë në ndërtimin e institucioneve, çoftë në ndërtimin e një koalicioni dhe ndërmarrjen e reformave të cilat janë të nevojshme, çoftë zhvillim ekonomik në përgjithësi social, por edhe në rrugëtimin evropian, ndikon drejtpërdrejt në mirëqenies e shtetit të Kosovës dhe të shoqërisë. Tani ne e dimë se jemi para një procesi ku Kosova ka nënshkruar MSA, marrëveshjen e parë dhe të vetme kontraktuale me BE-në dhe kemi parë që pavarësisht që kemi të bëjmë me strategji siç është ERA, institucionet e Kosovës nuk janë duke i përmbushur të gjitha kriteret dhe kërkesat që dalin nga këto dokumente. Prandaj, është më se e nevojshme që sa më parë të kemi institucione të reja që të përkushtohen për agjendën evropiane, pasi duke përkushtuar në agjendën evropiane mund të ecin përpara kësaj agjende, dhe mund të tregojmë se si shtet jemi një aleat serioz”, theksoi Krasniqi.
Edhe drejtoresha ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Arbëresha Loxha ka kërkuar që sa më parë të kemi krijim të qeverisë së re, se mos krijimi i institucioneve të reja të Kosovës po afekton të gjitha proceset reformuese dhe integruese të Kosovës.
“Kemi më shumë se një muaj e gjysmë që nga përfundimi i zgjedhjeve dhe ne ende nuk kemi koalicion të krijuar, pra krijim të qeverisë dhe konsolidim të Kuvendit të Kosovës. Kjo prodhon pasoja në disa aspekte, natyrisht pengon edhe do të ndikoj negativisht në të gjitha proceset reformuese dhe integruese të Kosovës. Dhe në këtë rast MSA-në, Planin Kombëtar për zbatim të MSA-së, i cili veçse implementimi i tij ka qenë i pakënaqshëm. Kjo për faktin se ka munguar vullneti politik, proceset e tilla reformuese kërkojnë vullnet të madh politik dhe me mungesë të krijimit të institucioneve afektohet edhe zbatimi i PKZMSA-së… Përveç, MSA-së do të pengohen edhe proceset tjera reformuese një shembull kemi edhe sektorit e drejtësisë, i cili ka mbetur pa reformë dhe shumë procese reformuese kanë filluar dhe për të cilat në fakt nuk është bërë asgjë dhe me krijimin e qeverisë së re mund të shohim edhe kthim në pikën zer o“, tha Loxha.
Drejtoresha e GLPS-së, Arbëresha Loxha tha se mungesa e progresit në integrimin evropian po e dëmton edhe imazhin e Kosovës.
“Mungesa e progresit në procesin integrues dhe reformues në përgjithësi, natyrisht që e dëmton imazhin e Kosovës në anën tjetër në rrafshin diplomatik ne veçse jemi duke pësuar disfatë nga Serbia në fushatën e saj kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës ose konsolidimit të shtetësisë së saj dhe natyrisht para institucioneve të BE-së, mungesa e vullnetit politik në këtë rast edhe mungesa e krijimit të institucioneve i lë prapa të gjitha proceset integruese dhe natyrisht e portretizon negativisht imazhin e Kosovës”, theksoi ajo.
E sipas analistit politik, Ramush Tahiri rrugëtimi i Kosovës drejtë Bashkimit Evropian është i ndërlikuar.
“Deri tani është dashur që qeveria të jetë e formuar, ndërsa për integrimet euroatlantike procesi është më i ndërlikuar sepse Kosova nuk ka subjektivitet ndërkombëtar ende dhe Kosova ka procedura të veçanta për integrimin evropian. Fatkeqësisht, ajo që Kosova ka nevojë është liberalizimi i vizave i cili nuk po vjen”, u shpreh Tahiri.
Qytetarët e Kosovës më 6 tetorit iu drejtuan kutive të votimit për zgjedhur kryeministrin e ardhshëm të Kosovës dhe deputetët e ardhshëm të Kuvendit të Kosovës. Ky proces u vlerësuar se shkoi mjaftë mirë, por që më pastaj pas shumë ankesave në rinumërim shkuan rreth 90 për qind e vendvotimeve/B.Ibishi/